Kategoria e Dytë bëhet skandaloze, nga Mamurrasi i braktisur te dhuna në Skrapar

MAMURRASI, I BRAKTISUR NGA TË GJITHË

Dje, skuadra mamurrzake duhej të luante me Tiranën B në fushën e vet. Por, policia nuk e ka marrë përsipër aktivitetin…

Tashmë skuadrës së futbollit të Mamurrasit i mohohet e drejta e zhvillimit të ndeshjes së radhës nga mungesa e forcave të rendit. Futbollistët mamurrzakë kishin planifikuar të ndesheshin me ekipin e Tiranës B dje, ndërsa presidenti Ded Ndreca, i cili një javë më parë kishte urdhëruar që ekipi të mos shkonte në Gramsh, dje ka dhënë “OK”-in  që skuadra të zhvillonin takimin e radhës. Ndreca vendosi që të shkrinte ekipin një javë më parë, por falë këmbënguljes së djemve, u mendua që të rimerrej pjesë në kampionat edhe për hatër të tifozëve të Mamurrasit si një qytet futbolldashës.

POLICIA – Por, ja që dhe kjo ndeshje ka dështuar për fatin e keq të mungesës së policisë. Lojtarët e skuadrës së Mamurrasit dhe ata nga kryeqyteti, si dhe gjyqtarët e delegati janë paraqitur në stadiumin e qytetit të Mamurrasit, por ndeshja nuk u zhvillua. Një prani e madhe edhe e tifozëve të cilët janë larguar të zhgënjyer nga ky dështim i masave.

NDRECA –  Ded Ndreca, presidenti i skuadrës së Mamurrasit është prononcuar për gazetën duke thënë se: “Policia e Kurbinit duket se është e politizuar, duke e kthyer futbollin kurbinas në dy standarde. Kjo është e papranueshme, referuar kësaj që ndodh në futboll. Ndaj, ndjej keqardhje nga ky fakt i çuditshëm. Me kërkesën e futbollistëve kam pranuar të rifilloja kampionatin duke qenë se një javë më parë vendosa të mos merrnim pjesë në garë edhe për shkak të padrejtësive që na janë bërë nga gjykimet. Por ndodhi kjo që nuk pritej, policia nuk pranon të mbështesë aktivitetin e vetëm sportiv në qytetin e Mamurrasit. Kjo strukturë e shtetit duhet të zbatojë detyrimet e saja, dhe jo të politizohet”,  – ka përfunduar Ded Ndreca.

Në Skrapar ndërpritet ndeshja, futbollisti dhunon arbitrin

SKRAPARI – ELBASANI  0 – 1

Shënues: Lleshi 60′  (11-m)

Ndeshja ndërpritet në min. e 68′

Ndryshe nga sa pritej, përballja me Elbasanin në shtëpi, duket se për skuadrën e Skraparit jo vetëm që nuk është shmangur dot humbja për aq sa është zhvilluar ky takim, por edhe se tensioni ka shoqëruar futbollistët vendas të cilët për një gol të anuluar në dëm të tyre në min e 68′ kanë protestuar ashpër tek vijërojtësi Xh. Mani. Madje, ky i fundit ka pretenduar se është goditur nga ana e futbollistit vendas Gogo dhe më pas, pas konsultimit me kryesorin Muskaj kanë vendosur që të ndërpresin takimin dhe të futen në dhomat e zhveshjes duke mos qenë në gjendje që të vijojnë takimin. Kurse, nga ana e stafit teknik vendas është kërkuar me insistim që takimi të rifillonte sërish.  Gjyqtari ka bërë denoncim në komisariatin e Çorovodës ndaj dhunuesit të tij, lojtarit Gogo, ndërsa ka marrë edhe mjekim në spital i shoqëruar nga kolegët e tij.

NDESHJA – Për këtë takim, me gjithë praninë e pakët të sportdashësve vendas, duhet thënë se loja ka qenë e një niveli të lartë dhe me dyluftime të shumta, ku të dy skuadrat kanë kërkuar me insistim që të fitonin ndeshjen, por miqtë nga Elbasani në pjesën e parë kanë shpërdoruar një rast të artë në min e 31′ kur kapiteni Kotorri ka gjuajtur një 11-metërsh të fituar nga talenti 19-vjeçar Gica dhe topi ka përfunduar jashtë kuadratit. Po kështu edhe vendasit kanë bërë të gjitha përpjekjet që të realizonin, por portieri mik ka kryer pritje të bukura. Pjesa e dytë ka nisur sërish me sulme dhe kundërsulme të shpejta, dhe duke insistuar për të shënuar futbollistët e të dy skuadrave janë shfaqur të nxituar para portave respektive. Për të ardhur në min e 60′ kur miqtë fitojnë sërish një 11-metërsh pas pengimit në zonë të një prej sulmuesve të tyre, dhe këtë radhë është Lleshi ai që ekzekuton saktë duke i dhënë avantazhin elbasanasve. Por humbja ishte një rezultat që nuk pranohej nga ana e çorovodasve, të cilët rrisin presionin dhe në min e 65′ pretendojnë për një 11-metërsh, ndërsa tre minuta më pas në të 68′ pas një krosi në zonë të Karamanit, topi është grushtuar nga Kotorri dhe Harka ndjek topin dhe fare pranë portës mike shënon golin e barazimit. Në këtë moment vijërojtësi Mani sinjalizon për pozicion jashtë loje të shënuesit të golit. Kaq ka mjaftuar që skuadra vendase të protestonte në grup ndaj vijërojtësit që sinjalizon kryesorin Muska për dhunë ndaj tij duke e adresuar gjithçka tek futbollisti Gogo i cili është ndëshkuar direkt me karton të kuq. Por, nga ky çast është treshja kryeqytetase e cila nuk pranon të vazhdoj më tek dhe mbyllet në dhomat e zhveshjes, për të sinjalizuar ndërprerjen e takimit për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vijërojtësit Mani.

REAGIMET –  A. SPAHIU, trajneri i Skraparit: “Të vjen vërtet keq që takime të tilla vazhdojnë të prishen nga gjykime të tilla tendencioze, pasi sot mund të them me bindje se Skrapari ka luajtur si i barabartë dhe ka vënë në pozita të vështira Elbasanin. Por gjyqtarët dhanë dy penallti për miqtë, duke i ndihmuar që ata të fitonin me çdo kusht. Kurse neve, na është mohuar një penallti e pastër. Unë, si trajner dhe edukator dënoj çdo akt dhune, por ama FSHF-ja t’i edukoj gjyqtarët dhe mos të sjellë provokatorë që duan vetëm të na dëmtojnë me çdo lloj mënyre”, -tha trajneri Spahiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *