Kastrioti zhvilloi një tjetër miqësore dhe pësoi një humbje 4-1 me Teutën. Skuadra e drejtuar nga Elvis Plori ka shumë punë për të bërë dhe drejtuesit po punojnë që të vënë nën urdhrat e stafit teknik një ekip konkurrues.
Tekniku shkodran e ka pranuar pas sfidës me durrsakët se synojnë mbijetesën, ndërkohë që tregon se një pjesë e mirë e lojtarëve në provë do të largohen. Synohet të merren lojtarë me eksperiencë dhe një i tillë është sulmuesi Çarls Atsina.
Ganezi pritet të mbërrijë nesër në Shqipëri dhe të nënshkruajë me Kastriotin. Akordi është arritur prej kohësh dhe tanimë do të bëhet prezantimi i sulmuesit, i cili në Superiore ka provuar vjet një eksperiencë me Vllazninë.
XHEFERSON – Pritej në Krujë, ku kishte arritur marrëveshjen në parim dhe i kishin prerë edhe biletën e avionit për në Tiranë, por mesfushori brazilian Xheferson e ka ‘prerë në besë’ Kastriotin dhe para dy ditësh i komunikoi vendimin për të mos ardhur.
28-vjeçari ka arritur marrëveshjen me Gjilanin në Kosovë dhe pritet të prezantohet në orët e ardhshme, raporton Gazetasheshi.com.
Drejtuesit e klubit kuqebardh kanë arritur marrëveshje për një vit me futbollistin që luan në rolin e mesfushorit difensiv, ndërsa Kastrioti duhet të gjejë mesfushor tjetër.