Krutanët kërkojnë që të realizojnë sa më shpejt synimin që është ngjitja në Superiore
Bujar Balliu
Kastrioti deri më tani është e vetmja skuadër në Kategorisë e Parë, që nuk ka pësuar asnjë humbje dhe udhëheq me meritë grupin A. Pas fitores ndaj Besëlidhjes, në ndeshjen e zhvilluar të dielën e kaluar në qytetin e Krujës, skuadra krutane i ka forcuar ndjeshëm pozitat në klasifikim. Tashmë, ekipi i trajnerit Samuel Nikaj ndodhet +5 pikë nga ndjekësi më i afërt, Besa e Kavajës që ashtu si krutanët synon këtë sezon ngjitjen në elitë. Skuadra do të nisi sot përgatitjet për ndeshjen e radhës me kavajasit në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamzë, ndërsa drejtuesit kanë premtuar se do të shpërndajnë edhe një premio të majme pas fitores ndaj lezhjanëve. Sigurisht që pritet të akordohet premio edhe për ndeshjen e radhës, e cila është një transfertë delikate, pasi krutanët përballen me vendit të dytë, Besën. Kastrioti i këtij sezoni është një ekip i ndërtuar thuajse nga e para, por me mjaft seriozitet. Madje, janë afruar në staf emra të njohur dhe që kanë eksperiencë në Kategorinë e Parë, ndërsa në përbërje të ekipit janë shumë lojtarë të njohur, të cilët kanë spikatur vitet e fundit edhe në ekipe të Superiores. Krutanët synojnë që këtë sezon të mos ndalen në asnjë ndeshje, madje duan që ta sigurojnë sa më herët ngjitjen në Superiore. Duke përfituar edhe nga kjo periudhë ndërprerje e kampionatit, mendohet që trajneri Samuel Nikaj të ketë të plotë skuadrën në Kavajë, duke shpresuar edhe në rikuperimin e atyre futbollistëve që kanë shfaqur probleme të lehta shëndetësore në javët e fundit.