Mesfushori i Tiranës, Erando Karabeci, flet në prag të Superkupës kundër Kukësit dhe analizon edhe sezonin e ri, duke e pranuar se skuadra është ende në kompletim e sipër, por kampionati duhet fituar sa më shpejt, për të siguruar kthimin në Superiore, aty ku i takon Tians.
“Të jem i sinqertë, kupa nuk na gëzoi shumë, duke parë si u mbyll sezoni. Rëndësi ka që të harrojmë gjithçka sa më shpejt, por të jemi të vetëdijshëm, është një njollë për ne. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që Tirana të binte nga kategoria. Detyrimi ynë është kthimi i menjëhershëm në Superiore, duke e siguruar ngjitjen sa më shpejt, që në dy fazat e para, për të qenë më të qetë për vazhdimin.
“Roli im këtë vit është shumë i rëndësishëm, sepse duhet t’i kujtoj lojtarët që na pret një kampionat i vështirë. Na pret një kampionat i fortë, pavarësisht se është Kategoria e Parë. Është një kampionat ndryshe, i ashpër, edhe fushat nuk janë shumë cilësore në disa stadiume. Megjithatë, jam i vetëdijshëm, e kam marrë përsipër këtë detyrë dhe kam besim se do t’ia dalim me sukses.
“Kemi bërë 2-3 afrime dhe jemi rregulluar pak. Jemi në rrugën e duhur, edhe pse nuk jemi ende në 100%, sepse presim ende lojtarë që të kompletohemi. Jemi përgatitur për shumë javë për ndeshjen e Superkupës, nuk kemi frikë, nuk ka shumë rëndësi fakti që Kukësi është kampion dhe ne kemi rënë nga Kategoria, sepse ne jemi Tirona”.