Për herë të parë në historinë e vet, Karabaku merr pjesë në fazën play-off në Champions League, ku sot ka luajtur ndeshjen e vajtjes, kundër FC Kopenhagenit.
Përfundoi 1-0 për azerët, me një gol të shënuar nga Madatov në minutën e 25-të, gol i çmuar, që afron kualifikimin historik.
Një ndeshje shumë e mirë e Karabakut, që ishte superior gjatë gjithë ndeshjes dhe kontrolloi mjaft mirë FC Kopenhagenin.
All Goals & highlights – Qarabag 1-0 FC… by goalsarena2017
Si zakonisht, në krahun e majtë të mbrojtjes ishte i pakalueshëm Ansi Agolli, një lojtar me rëndësi të jashtëzakonshme për Karabakun, jo thjesht për atë që jep në fushë, por edhe si lider i skuadrës në momente të vështira.
Që tani Karabaku ka siguruar të paktën 3 milionë euro, edhe nëse eliminohet, por kualifikimi është ëndrra e madhe, sepse jo vetëm që kalohet për herë të parë në grupet e Champions League, por në total klubi do të arkëtonte menjëherë 14.7 milionë euro!
Duke pasur parasysh buxhetin e Karabakut, aq para do të mbulonin thuajse dy sezone dhe Karabaku do të bëhej klubi i parë azer që do të mbyllte një sezon me bilanc super pozitiv dhe do të siguronte edhe të ardhmen.