Portieri i Laçit: Ishte një ndeshje e luftuar. Ne erdhëm për të fituar. Nuk flas për objektiva. Duhet të stërvitemi fort
Futbolli është i bukur, pasi të përplas para fytyrës histori të vërteta frymëzimi. Për fatin tonë të mirë, Shqipëria ka historitë e saj, pavarësisht se ambienti këtu është dyfish më i vështirë.
Në ndeshjen e djeshme, lojtari i takimit doli portieri Gentian Selmani. 19-vjeçari zhvilloi një paraqitje fantastike, pasi realizoi disa pritje shumë të mira. Perla? Rasti i Bardhit. Qetësi olimpike, pozicionim i mirë, bllokim rrezeje dhe refleks i pastër, sfera përfundoi në duart e tij.
Selmani u aktivizua në portën e Laçit që në moshën 17-vjeçare, shumë pak besonin te trupi i tij i njomë dhe shtati jo shumë i gjatë. Në paraqitjet e tij të para nuk la shije të mirë, shpeshherë largohej nga stadiumi duke dëgjuar pas vetes se nuk bënte, apo frazën më mediokre: “Djalë i mirë, por si portier nuk bën”.
Selmani nuk u dorëzua, por punoi shumë. Pashk Laska i besoi atij vetëm se e shihte duke u stërvitur pa fund. Në fund ia doli, mbylli shumë gojë dhe tashmë është ndër portierët më të mirë në Shqipëri, pasi në formë, po e po. Idhulli i tij është Bufon, natyrisht që nuk mund ta krahasojmë me legjendën e Italisë, por meriton fjalët më mira.
– I vetmi rast i ndeshjes ishte pritja jote kundër Bardhit…
– Ishte një ndeshje e luftuar, edhe fusha nuk na lejonte shumë të luanim. Nuk pati shumë raste, por ne patëm ardhur për 3 pikë, por edhe me këtë barazim jemi të kënaqur.
– A mund të arrijë Laçi Europën?
– Ne do stërvitemi që në çdo ndeshje të japim maksimumin. Kemi lënë pikë me ekipet poshtë nesh, ndërsa me ato sipër kemi marrë disa pikë.
-Partizani nuk ju ka mposhtur asnjëherëë këtë sezon, ju sjell fat ky ekip?
– Është diçka e bukur. Mos pësimi i golit më këna, por është detyra ime. Më takon të stërvitem akoma më shumë, për ta mbajtur të paprekur rrjetën.
– Kush është çelësi i formës tënde të mirë?
– Jam stërvitur shumë. Me raste edhe nga 2 seanca në ditë, duke qenë i përqendruar gjithmonë, vijnë edhe këto fryte.
– Keni një dorë një shirit, nga idhulli juaj Bufon, me shprehjen “Fino alla Fine”?
– Po, është e vërtetë. E kam blerë në Torino, në dyqanin e Juventusit.