Disa nga lojtarët e futbollit njihen edhe jashtë fushës, që janë mjaft bamirës ndaj njerëzve në nevojë. Të shumtë kanë qenë lojtarët, të cilët dhurojnë shuma të konsiderueshme parash për fondacionet në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Së fundmi, ka qenë pikërisht kapiteni i Mançester Sitit, Vinsent Kompani, i cili ka bërë një gjest me të vërtetë për tu vlerësuar. Gjiganti i mbrojtjes së Sitit ka vendosur që 15% e rrogës së tij të shkojë në ndihmë të njerëzve të pastrehë në Mançester. Kompani pati një takim më drejtorin e fondacionit “Burnham”, i cili do të vijojë të ndihmojë të pastrehët në Mançester, por tani dhe me një ndihmesë të madhe dhe nga kapiteni i Sitit.
Vinsent Kompani po zhvillon sezonin e tij te dhjetë me fanellën e Sitit. 32-vjeçari është kthyer në një simbol për ekipin e “The Citizens” dhe është mjaft popullor në qytetin e Mançester. Padyshim një gjest për tu vlerësuar, ky i mbrojtësit belg.