Skënderbeu u ndesh me Partizanin sot në Korçë dhe pati momente paniku në fundin e ndeshjes, kur përplasjet mes tifozerisë dhe futja e tifozëve në fushë rrezikuan ndërprerjen e takimit.
Për fat, nuk ndodhi asgjë e rëndë, por e rëndë ishte ngjarja, sepse ishte ndeshja e parë pa polici në stadium.
Federata Shqiptare e Futbollit ka trumbetuar largimin e policisë nga stadiumi, duke bërë që brenda stadiumit vetëm forcat e sigurisë të jenë të pranishme.
Natyrisht, një lajm i bukur për tifozët që janë ndjerë të kërcënuar në mënyrë sistematike nga policia, që në fakt shpesh ka gabuar totalisht me menaxhimin e ndeshjeve.
Megjithatë, hapi i hedhur nga Federata ka qenë i parakohshëm dhe i pamenduar, ndërsa ndeshja e sotme tregoi se një rrezik i madh i kanoset Superiores.
Në stadium ishin të pranishëm vetëm pak stjuardë, aq sa numëroheshin me gishta. Arsyeja? Skënderbeu nuk kishte kërkuar një numër të madh forcash sigurie, për shkak se nuk dëshironte të shpenzonte shifra të mëdha për sigurinë e takimit.
Natyrisht, buxheti është i rëndësishëm për klubet tona, por në një ndeshje me 5000 tifozë, me shumë të ardhur nga Tirana, që kishin paralajmëruar se do të binin në sy në stadium me çdo kusht, duhej kujdes i madh.
Në të shkuarën një ndeshje e tillë ka pasur deri në 1200 policë, për të mbajtur nën kontroll një sfidë tepër të tensionuar këto vitet e fundit, ndaj me pak stjuardë ishte e pamundur që të evitoheshin përplasjet, trazirat dhe futjet e tifozëve në fushë.
Skënderbeu refuzon të paguajë, Federata Shqiptare mbyll sytë: Ndryshe nga sa është trumbetuar, nuk është kryer asnjë takim në mesjavë për të caktuar masat organizative dhe vendosur në lidhje me numrin e forcave të sigurisë në stadium. Një ndeshje e tillë nuk mund të niste pa disa qindra forca sigurie, përndryshe më mirë të kthehen policët, para se të jetë vonë dhe ndokush ta pësojë keq.
Ndoshta sinjali i sotëm do të zgjojë të gjithë, duke nisur nga Federata: ose të kthehet policia, ose forcat e sigurisë private të paguhen nga Federata me fondet e së drejtës televizive apo si ta shohin të arsyeshme. Kështu, në të ardhmen nuk do të shohim ndonjë tragjedi, sepse po afron edhe derbi i kryeqytetit.