Shkodrani pëlqehet nga trajneri Ramadan Ndreu, por duket e vështirë që klubi kampion të huazojë 23-vjeçarin
Nëse në kampionat nuk kishte hapësirat e duhura, në Kupat e Europës Sindrit Guri ishte një nga lojtarët që spikati më së shumti. Performanca e tij e kënaqshme normalisht nuk mund të kalonte pa u vënë re dhe nga menaxherët e ndryshëm. Menjëherë për të u interesua kundërshtari i Kukësit, Sherifi i Tiraspolit, që bëri dhe një ofertë konkrete prej 150 mijë eurosh. Jo vetëm kaq, por menjëherë pas moldavëve ishte skuadra italiane e Serisë D, Mantova, që shfaqi dëshirën që shkodrani të bëhej pjesë e saj. Mosha premtuese e sulmuesit bëri që drejtuesit e Kukësit të vendosnin një çmim në dukje stratosferik, pasi kërkonin 300 mijë euro për ta lënë të lirë 23-vjeçarin, i cili në kampionat u aktivizua vetëm në 4 ndeshje si titullar. Një shifër e konsiderueshme, por që për Kukësin nuk mund të diskutohej. Largimi i Pejiçit dhe Eminit mund të krijonin kushtet, që shkodrani të merrte çelsat e sulmit, megjithatë afrimi i Alijevit dhe Bakajt mund të cungojnë përsëri minutat për sulmuesin. Guri ka edhe një vit kontratë dhe Kukësi nuk do ta lërë të lirë, por ky fakt nuk e ka penguar Kamzën të kërkojë shërbimet e sulmuesit.
HUAZIMI – Vetë trajneri Ramadan Ndreu e pranoi se kërkon dy sulmues nga kampionati shqiptar pak ditë më parë. Nëse njëri prej tyre është Sebino Plaku, “Sport Ekspres” ka mësuar se lojtari i dytë në repartin ofensiv është Sindrit Guri. Sigurisht që Kamza nuk mund të bëjë ofertë për të blerë kartonin e Gurit, por ka projektuar të kërkojë nga Kukësi ta marrë me formulën e huazimit. Trajneri Milinkoviç e ka në planet e tij sulmuesin dhe fakti se ka vetëm një vit kontratë duket e vështirë, që verilindorët të humbasin një lojtar si Guri. Merkato mbetet ende e hapur dhe nëse kampionët do të bënin ndonjë surprizë në sulm, atëherë mund të kryhej edhe kjo lëvizje në aksin Kukës-Kamëz.