Kamza, në bisedime me Petr Trap

31-vjeçari çek është një opsion për mesfushën dhe mbrojtjen, ndërkohë që vijojnë tratativat edhe për afrimin e Masato Fukuit

Kamza deri më tani ka afruar në skuadër vetëm brazilianin Bruno Arrabal, ndërkohë që po testohet momentalisht sulmuesi Noel Niason, ganezi 24-vjeçar që luajti këtë verë me maltezët e Florianës në kupat e Europës. Gjithashtu në provë është edhe një mbrojtës malazez, që prej dy ditësh është vënë nën urdhrat e stafit teknik. Pavarësisht se ende nuk ka zyrtarizime, drejtuesit po punojnë intensivisht për të mbyllur marrëveshjet me disa futbollistë, por kjo nuk po rezulton e lehtë deri më tani. Siç dihet, më parë është biseduar me portierin Argent Halilaj dhe qendërmbrojtësin Taulant Kuqi, por gjithçka është e ngrirë për momentin, pasi nuk ka një akord financiar mes palëve. Gjithsesi mbeten të hapura si pista dhe në vijim pritet të mësohet se çfarë do të bëhet. Zhbllokimi i merkatos pritet të vijë shumë shpejt, pasi do të lëvrohet edhe një fond nga ana e Bashkisë Kamzë për klubin e futbollit.

OBJEKTIVAT – Masato Fukui është një nga lojtarët që Kamza synon ta afrojë në ekip dhe bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit kanë nisur prej kohësh. Japonezi që ka veshur fanellën e Tiranës dhe të Skënderbeut ndodhet në Shqipëri dhe mbetet për t’u parë se si do të avancojnë bisedimet. Një tjetër emër që ka dalë së fundmi në skenë është ai i Petr Trap. Futbollisti çek erdhi për herë të parë në Shqipëri në verën e vitit 2015 me kërkesë të Stanislav Levit, por qëndroi për pak kohë te Flamurtari për shkak të problemeve me pagat. 31-vjeçari luan si mesfushor qendror dhe si qendërmbrojtës dhe ky është element plus që i nxit drejtuesit e Kamzës të arrijnë marrëveshjen me lojtarin në fjalë. Pas largimit nga Flamurtari, Trap luajti në Slloveni, në ligën e dytë me Nitrën, teksa aty u aktivizua në 10 ndeshje si titullar. Sezonin e shkuar futbollisti çek u rikthye në vendlindje, aty ku iu bashkua skuadrës së Pribram, që në fund të sezonit ka rënë nga liga më e lartë e futbollit në Çeki. Tashmë ai është lojtar i lirë dhe te Kamza po e shqyrtojnë si opsion. Bisedimet kanë nisur dhe tashmë pritët të shihet se si do të shkojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *