Kamza ëndërron Njazi Kuqin për sulmin

Sulmuesi shtatlartë është objektiv i skuadrës së Ndreut, që po pret një sulmues për skuadrën e tij. Nisin bisedimet me lojtarin nga Vushtrria

Vladimir Prenga

Kamza ka qenë shumë aktive në merkato gjatë kësaj vere, duke afruar lojtarë me eksperiencë dhe që e njohin mirë Kategorinë Superiore, kjo një kërkesë e trajnerit Ramadan Ndreu, që së bashku me presidentin Naim Qarri, falë edhe mbështetjes maksimale që po jep Bashkia Kamzë me në krye Xhelal Mziun, po operojnë me sukses në merkato. Deri më tani janë mbyllur disa “vrima” në ekip, teksa krahas Gjonikajt që ishte vjet, nga Flamurtari ka ardhur portieri Argent Halilaj, duke e bërë këtë repart të kompletuar. Për krahun e djathtë të mbrojtjes stafi teknik ka tre alternativa, Idrizajn, Frashërin dhe Lamen. I pari, vlonjat i ardhur nga Skënderbeu, mund të luajë edhe në krahun e majtë, për të cilin është afruar Mërgim Neziri, që sezonin e fundit ka luajtur te Prishtina. Qendra e mbrojtjes ka qenë një problem që duhej zgjidhur, pasi vetëm Lelis mbeti nga ekipi i vjetshëm. Së fundmi kë nënshkruar Ivan Fushtar, ndërkohë që po punohet për të afruar edhe një tjetër mbrojtës qendror vendas. Mesfusha është ribërë, teksa për qendrën janë afruar Zefi, Arrabal dhe Mustafa. Përforcime ka pasur edhe për krahët e mesfushës, teksa janë bërë pjesë e ekipit Fukui dhe Mumajesi, duke bërë që skuadra e Kamzës të jetë më e plotë dhe të mendojë edhe për fazën përgatitore, që e nis javën e ardhshme dhe me shumë mundësi do ta zhvillojë në Maqedoni.

NJAZI KUQI

Sulmi është reparti që duhet plotësuar te Kamza, pasi për momentin në ekip është vetëm Ermir Rezi. Së fundmi mësohet se po tentohet të bindet “gjiganti” Njazi Kuqi, sulmuesi nga Vushtrria që ka veshur fanellën e Kombëtares së Finlandës. 34-vjeçari momentalisht luan me Inter Turkun në Finlandë dhe bisedimet për ta bindur kanë nisur. Mësohet se atij i është bërë një ofertë konkrete dhe tashmë pritet përgjigja. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për ta sjellë në Shqipëri sulmuesin që në CV-në e tij ka shumë klube të huaja, deri në Premier Ligë, ku ka nënshkruar për Birmingamin, por nuk mundi të luajë, pasi u huazua. Më parë Kuqin e ka kërkuar edhe klubi i Kukësit, por operacioni i merkatos nuk është realizuar me sukses. Këtë herë është Kamza që po tenton ta afrojë atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *