Kampioni modest, Kante refuzoi të shmangte taksat

Kampion bote me Francën, dy tituj të fituar në Angli me Leister Sitin dhe Çelsin dhe shumë trofe të tjerë në ishull. E megjithatë, te N’Golo Kante befason normaliteti. Një personazh i jashtëzakonshëm, i cili bën bujë pikërisht sepse nuk bën “zhurmë”. Zemërgjërë në fushë, i turpshëm kur bëhet fjalë për të festuar dhe gjithmonë gati të sakrifikojë.

Kante ka arritur edhe një herë të fitojë zemrat e tifozëve, pas lajmit se ka refuzuar pagesat “offshore”. Sipas “FotballLeaks”, mesfushori francez është shprehur kategorikisht kundër shmangies së taksave për të drejtat e imazhit, madje nuk ka pranuar aqë një pjesë e rrogës së tij të kalohej në një llogari bankare në ishullin e Xhërsit.

“N’Golo nuk është fleksibël te kjo pjesë, kërkon vetëm një pagë normale”, shkruhej në një e-mail të dërguar te Çelsi nga konsulenti financiar i francezit. “Pasi ka lexuar shumë rreth të drejtave të imazhit dhe pas lajmeve për hetime fiskale kundër lojtarëve dhe klubeve, N’Golo është i shqetësuar se aseti i cili i’u ofrua mund të vendoset nën hetimet nga autoritetet. Për këtë arsye, vendosi të mos rrezikojë”.

Sipas asaj që shkruan “Mediapart”, në vitin 2016 në Xhërsi u themelua “NK Promotions”. Edhe pse mbetet për t’u saktësuar nëse u krijua nga klubi i Çelsit apo nga të afërmit e futbollistit, kompania do të shërbente për të paguar 10 për qind të rrogës së Kante jashtë Anglisë, si mënyrë për të shmangur taksat. Megjithatë, mesfushori refuzoi. Thjesht i mahnitshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *