Të premten nis edicioni i 32-të i Kupës së Afrikës. Kompeticioni do të zhvillohet në Egjipt, por një prej kombëtareve nuk është nisur akoma drejt vendit të faraonëve. Lojtarët e Kamerunit kanë vendosur të bojkotojnë Kupën e Afrikës për momentin.
Shkaku? Federata e vendit afrikan nuk ju ka paguar akoma lojtarëve bonuset e kualifikimit. Trajneri Sedorf i ka bërë thirrje legjendës Samuel Eto që të bëjë ndërmjetësin dhe t’i bindë lojtarët të nisen drejt Egjiptit.
Të martën është ndeshja e parë kundër Guinea Bisaut, ndërsa sekretari i CAF (Konfederata Afrikane e Futbollit), Antoni Bafoe, ja u ka bërë të qartë të gjithë kombëtareve faktin që duhet të jenë në Egjipt pesë ditë përpara ndeshjes së parë.
Lojtarët pretendojnë nga 30 mijë euro bonuse, ndërsa Samuel Eto po tenton të bëjë ndërmjetësin dhe t’i bindë ata që të marrin pjesë në Kupën e Afrikës.
Një episod i përsëritur me kombëtaren e luanëve. Pak para fillimit të Botërorit Brazil 2014, lojtarët refuzuan nisjen drejt vendit të sambës. Ata kërkonin garancinë e bonuseve dhe kapiten ishte Samuel Eto. Situata u zgjidh atëherë dhe tifozët kamerunas shpresojnë të ndodhë e njëjta gjë.