“Kam ofertë nga Sivaspori”, trajneri shqiptar zbulon se e kërkon klubi i Manajt: Për dikë është ëndërr, për mua një realitet

Llapi ka marrë kryesimin e kampionatit në Kosovë dhe po i shpall një garë të fortë Ballkanit të Ilir Dajës. Trajneri i skuadrës nga Kosova ka dhënë një deklaratë së fundmi, ku ka bërë të ditur se suksesi i tij në krye të pankinës ka marrë edhe vëmendje ndërkombëtare. Tahir Batatina ka thënë për “ATV”-në se ka ofertë zyrtare nga tre klube. Madje zbulon se njëri prej tyre është ekipi ku po shkëlqen Rei Manaj, Sivaspori. Gjithashtu Batatina tregon se menaxherit të tij i ka ardhur së fundmi edhe një ofertë nga Arabia Saudite.

Megjithatë, ai thekson se momentalisht është i përqendruar te Llapi dhe pas përfundimit të sezonit do të vendosë për të ardhmen e tij. Çështja ekonomike duket se nuk do të jetë një problem për të gjetur gjuhën e përbashkët, pasi Batatina thotëse ofertat kanë qenë të majme.

“Unë kam disa oferta zyrtare. Disa skuadra nuk mund t’i përmend me emra, sepse janë trajnerët duke punuar dhe nuk është korrekte. Do të bëj maksimumin që unë ta përfundoj me Llapin. Kemi tre skuadra që kanë ofruar ofertë zyrtare te menaxheri. Një prej tyre ka qenë Sivaspori, që ka diskutuar me menaxherin. Por unë kam kërkuar që deri kur të përfundoj me Llapin nuk do të diskutoj me asnjë ekip jashtë Kosovës. Kam ofertë zyrtare edhe nga Arabia, më ka ardhur dje. I kam thënë që nuk kam mundësi të shkoj në Turqi për t’u takuar, sepse kam skuadrën. Pres përfundimin e kampionatit që të mund ta bëj një gjë të tillë.

Nëse unë dua, 100% mund ta bëj këtë lëvizje. Skuadrat kanë dhënë ofertat. Kanë filluar të përmendin shifra, mjetet financiare, për të qenë te skuadrat e tyre, të cilat ndoshta janë ëndërr për dikë, por për mua janë realitet. Është në dorën time për të vendosur”, ka deklaruar Tahir Batatina./Halit Delibashi-Sport Ekspres/