“Kalojmë dy ture në Europë”, Rrëfimi i gjatë i Xhaferrit: Patëm edhe shkopinj nën rrota për të na dëmtuar

Vllaznia ka qenë qershia mbi tortë e këtij sezoni në futbollin shqiptar. Nga një ekip që erdhi nga lufta për mbijetesë e mbylli kampionatin në vendin e dytë, ku vetëm golavarazhi i mohoi titullin kampion. Gjithashtu sezoni fantastik u kurorëzua edhe me një trofe, atë të Kupës së Shqipërisë. Ndryshimet janë të dukshme dhe rruga drejt suksesit ka ardhur që me afrimin e sponsporit Xhaferi pranë klubit kuqeblu. Ky i fundit ka dhënë një intervistë për “RTSH Sport”, ku ka folur gjerë e gjatë mbi gjithçka që ka lidhje me Vllazninë e këtij sezoni.

Play out-i me Besëlidhjen

“Ishte një moment, në të cilin po mendonim nëse do vazhdonim me projektin që kishim, apo nuk do vazhdonim të nesërmen. Ishte një moment shumë delikat për ekipin, por e kaluam me sukses. Tani vijmë pas më shumë se 10 muajsh, Vllaznia ka fituar Kupën dhe është nënkampione e Shqipërisë. Besoj se llogaritë janë të qarta dhe Vllaznia e madhe është rikthyer tashmë. Nga një situatë, ku rrezikonte të dilte nga kategoria, tani jemi në një situatë tjetër ku është rikthyer besimi, tifozët po kënaqen me lojë. Jo vetëm Shkodra, por e gjithë Shqipëria ka krijuar idenë se Vllaznia është një skuadër pretendente dhe që bën një futboll të bukur”.

Rrugëtimi me Vllazninë

“Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Sigurisht që dua të përmend dhe Kryetaren e Bashkisë, e cila bëri të mundur arritjen e marrëveshjes, ka qënë në një suport të vazhdueshëm për ta mbështetur ekipin, si e ka mbështetur edhe më parë, pavarësisht rezultateve. Hymë me dëshirën e mirë për të rritur vlerën e Vllaznisë dhe për të mbërritur këtu ku jemi. Ka patur sfida nga më të ndryshmet. Sigurisht që ka patur edhe kritika, me vend dhe pa vend. Unë dua ti mirëkuptoj kritikat me vend, sepse na kanë shtyrë që të zhvillohemi edhe më mirë. Kritikat pa vend, në momentin që janë pa ndonjë dashakeqësi, dua tu them që jemi munduar të bëjmë maksimumin, me një punë të pastër, ndoshta dhe përtej mundësive që kemi.

Sigurisht që ka patur dhe “shkopinj nën rrota”, duke u munduar ta dëmtojnë këtë projekt, ashtu sic ndoshta mund të mundohen përsëri, sepse bota e futbollit është e egër, por nuk duhet të merremi me ta, duhet të shikojmë përpara, sepse Vllaznia i përket gjithë qytetit, që na ka dhënë një mbështetje të madhe. Shumë njerëz në rrugë na ndalojnë dhe na përgëzojnë për punën që është bërë. Dua të theksoj atë që më tha një tifoz para ca ditësh: ‘mirë unë që jam tifoz dhe pyes, por nëna ime që është mbi 85 vjece dhe më thotë, si shkoi Vllaznia’. Është një Vllazni që i ka goditur të gjithë, besoj se kjo është gjëja më e bukur që kemi arritur në këtë projekt”.

Momenti më i vështirë i këtyre 10 muajve?

“Dua të vecoj dy momente. Momenti i parë është kur siguruam Superioren. Momenti i dytë është faza e licensimit, një moment kritik ku e kam ndjerë veten shumë keq. Nëse nuk do finalizohej me sukses, atëherë do mundim do të shkonte kot. Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, Kryetaren e Bashkisë, presidentin e FSHF-së, si dhe drejtorin e tatimeve, që me dëshirën e tij të mirë bëri të mundur realizimin e marrëveshjes”.

Momenti i krizës dhe cështja e trajnerit?

“Mendoj se janë një proces normal, sigurisht jo i këndshëm, sepse patëm një rënie. Puna e trajnerit ishte dicka e brendshme, gjë e cila ndodh në një familje”.

Rinovimet

“Dua të them dicka, me Plorin është arritur marrëveshja, por edhe me Matko Darmjatin kemi arritur marrëveshjen. Me trajnerin Brdaric, dua të them se kemi patur disa diskutime të shëndetshme. Si e ka shprehur dhe në media, është për vazhdimin e projektit, për të është një sfidë në vetvete. Sigurisht që ka meritën e tij që Vllaznia ka arritur në këto nivele, por jemi në diskutime për disa detaje teknike, që unë jam optimist se do të arrijmë me sukses për të vazhduar projektin me Brdaric. Të shikojmë në vazhdim dhe shpresoj të kemi një finalizim, por duhet theksuar se të gjithë jemi të përkohshëm, ndërsa Vllaznia është e gjithë tifozëve. Sigurisht që ndryshime do të ketë, është dicka normale në sport”.

Merkatoja

“Unë mendoj se është krijuar një grup, sepse para përfundimit të kampionatit kemi rinovuar disa kontrata, sic është Gurishta, Krymi, Adili dhe disa lojtarë të tjerë. Sigurisht që janë një potencial i mundshëm për tu transferuar jashtë vendit. Po shikojmë mundësitë, për ti transferuar në një klub më të mirë se Vllaznia, edhe për prespektivën e tyre, por edhe për të krijuar disa të ardhura shtesë për klubin. Ky është plani i parë. Janë gjithashtu një grup prej tetë lojtarësh, të cilëve u ka mbaruar kontrata dhe me disa prej tyre jemi në diskutime për vazhdimësinë. Po shikojmë dhe për afrimin e lojtarëve, të cilët do plotësojnë vendet vakante dhe ku kemi patur problem, sic është sulmi. Ne synojmë të marrim një sulmues të standarteve të larta, që ti përgjigjet më së miri kampionatit shqiptar dhe Kupave të Europës. Por po shikojmë për përforcime edhe në mesfushë e mbrojtje. Po shikojmë mundësitë, por në këto momente nuk mund të jap emra. Gjithashtu, synojmë të marrim lojtarë dhe nga Akademia, dy apo tre lojtarë. Do punojmë në mënyrë haronike me elementin aktual, me ardhjet cilësore si dhe me prurjet e Akademisë. Ky është plani i përgjithshëm për të konsoliduar klubin”.

Objektivat në Europë

“Sigurisht që kemi ambiciet tona, është një rikthim i Vllaznisë pas disa vitesh dhe kjo ndoshta është një pikë e dobët, sepse jemi më poshtë se sa të tjerët për shkak të pikavarazhit. Duam të kalojmë sa më shumë ture në Kupat e Europës dhe për këtë nuk duhet të kemi asnjë llojë kompleksi të inferioritetit. Synojmë të kalojë dy ture, por duhet të presim edhe shortin”.

Deri tani si donator, po si president?

“Kemi sakrifikuar shumë deri tani, jam i kënaqur për kontributin dhe për atë që kemi arritur. E kam theksuar edhe më parë se privatimimi është celësi i suksesit për vazhdimësinë e ekipit të Vllaznisë. Kompania ime është kualifikuar në këtë proces, kjo është dicka e mirë. Unë kam bërë një plan biznesi dhe të gjithë e dinë për ambiciet e mia, që përputhen dhe me dëshirat e tifozëve. Besoj se shumë shpejt do përfundojë dhe ky proces dhe Vllaznia të privatizohet, sepse do të jetë në interes të saj. Pengimi i këtij procesi do të jetë në dëm të Vllaznisë dhe sigurisht që ka një kosto”, ka deklaruar Alban Xhaferri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *