Elton Kale pret me shumë interes përgjigjen që do të sjellë FIFA për konfliktin që ai ka me Kukësin. Braziliani duket se e ka derën e hapur në Vlorë, me trajnerin Daja që e ka theksuar se e pret lojtarin e krahut që të bashkohet me skuadrën e tij sa më parë të jetë e mundur.
Kale prej shumë javësh është me vlonjatët, me të cilët ka zhvilluar dhe fazën përgatitore, megjithatë nuk ka asnjë vendim ende, pasi FSHF preferoi që të qëndronte e diferencuar nga kjo çështje, duke i lënë vendimmarrjen organeve ndërkombëtare. Kale duket se është i “betuar” për të qenë një vlonjate, pasi edh drejtuesit po i japin kohën e nevojshme për të fituar statusin një lojtar i lirë. Me shumë mundësi e kanë rezervuar një vend në listën e federimeve për mesfushorin, edhe pse ky i fundit më shumë duket se po shijon pushimet në qytetin e Vlorës.
Kale duket se është mjaft i lidhur me skuadrën e “re” aq sa jo vetëm shihet në dhomat e zhveshjes dh enë çdo ndeshje me skuadrën, por preferon që dhe kohën e lirë ta harxhojë me shokët e skuadrës. Sot, braziliani ka postuar një foto ku shihet në bregdetin e jugut, së bashku me Torasën dhe Hysenin.