Qendërmbrojtësi shtatlartë i cili ka qenë pjesë e Dinamos është i bindur për kthesën
Fatmir Efica
Mbrojtësi kavajas Ervis Kaja, i cili ka luajtur edhe me disa skuadra të tjera si në Superiore ashtu dhe në Kategorinë e Parë, duke folur për sfidën në transfertë të Besës ndaj Dinamos, çmoi shumë të rëndësishme atmosferën që dhuron një përballje e tillë. Bëhët fjalë për dy klube me fanella me shumë traditë. Sipas Kajës, një ndeshje e këtillë e zbukuron mjaft kampionatin.
SITUATA – “Përmirësimet te Besa kanë nisur të duken që pas barazimit që morëm ndaj Korabit në transfertë. Besa, në të gjitha ndeshjet e fazës së parë, ka treguar se nuk ka frikë askënd, por rrjedha e rezultateve, me gjithë ulje – ngritjet e veta, ka ardhur më tepër edhe prej faktit se kjo Besë u formua diçka më me vonë gjatë verës së fundit. Për rrjedhojë, shumë nga futbollistët e rikthyer, ata të ardhur rishtas apo të rinjtë e talentuar që ka Besa në organikën e saj, kanë pasur nevojë për një kohë më të madhe harmonizimi të stilit të lojës së tyre. Në dy fazat e mbetura, Besa do të jetë padiskutim më e fortë dhe nuk do të heqë dorë, e do të luftojë denjësisht deri në fund për të synuar ngjitjen e rikthimin e saj në Kategorinë Superiore. Situata ka ndryshuar për mirë”, – tha Kaja fillimisht.
MBROJTJA – “Në repartin e prapavijës ku unë luaj, Besa ka aktualisht një grup futbollistësh që vërtetë kanë një përvojë të konsiderueshme. Mbrojtja ka një rol të tillë për t’ia bërë sa më të vështirë manovrën kundërshtarit. Këtë konstatim e përmenda, pasi nëse nëpër ndeshjet e ndryshme ka pasur edhe gabime që servirin situatat e lojës. Momentalisht, ne po punojmë fort që në fazën e dytë, duke filluar nga takimi i kësaj fundjave me Dinamon, të luajmë me sa më pak gabime që të jetë e mundur. Ne do të bëjmë gjithçka të përmbushim objektivat tona si skuadër në fund të këtij sezoni”, – tha në mbyllje të prononcimit të tij mbrojtësi Ervis Kaja i Dinamos.