“Ka të bëjë Kavaja në këtë mes”! Zbulohet ekskluzivisht sesi “Mora Fjalë” përfundoi në himnin e dytë të shqiptarëve, falë Sokol Cikalleshit dhe Julian Tereziut

Ka çmenduri dhe mbi çmenduri për Kombëtaren, por rasti i Julian Tereziut dhe rrëfimet e tij, janë të një niveli tjetër. Aktualisht ky shqiptar jeton dhe punon në Suedi, por në kontratën e punës ekziston një kusht i veçantë: “Kur luan Shqipëria, duhet të jetë ditë pushimi”. Por nuk është kjo e gjitha, rrëfimet e tij nuk duhen humbur në emisionin “Koha Shtesë”. (Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë)

“Po, kur hyra në punë e vendosa si pikë në kontratën time në Suedi që sa herë që të ketë ndeshjen Shqipëria, ta kem ditën pushim. Pronari e pranoi këtë kusht, për fatin e mirë është shqiptar dhe ai është tifoz i Shqipërisë. Pjesa tjetër e stafit te puna jonë është suedez, por nuk hapin kurrë probleme për këtë gjë, unë kur luan Shqipëria e kam pushim, kështu është edhe në kontratë. Këtë vit përshembull, nuk kam bërë fare pushime, asnjë pushim familjar, përveç atyre që kam udhëtuar për Kombëtaren.

Më vjen të qaj kur e kujtoj atë që ndodhi te Shqipëri-Islandë. As nuk e dija rezultatin, kur e shoh, 1-1. Shkova direkt te Cikalleshi dhe i thashë: “Çfarë po ndodh?”. Më tha tekstualisht: “Julo, si i le ti dy fëmijët dhe vjen këtu, i lë edhe unë”. Aty nga nervat i gjuajta një betoni dhe më iku dora shumë keq. Theva dorën, shkova në ambulancë dhe më pas ishte Seferi që më pa, më dha edhe bluzën. E takova edhe Berishën nga afër. Më e bukura ishte ndeshja e fundit tani, kam parë edhe intervistën e babait të Qazim Laçit te ju dhe ishte shumë e vërtetë. Erdhi Qazim Laçi, më shtrëngoi fort dhe më tha: “Ku ishim dhe ku jemi”. E kishte për atë ndeshje kundër Islandës, që u ul te shtylla aty duke qarë. Të ikësh nga Suedia në Shqipëri, të lësh dy fëmijët, të shohësh ndeshjen, të përfundosh me dorë të thyer dhe një muaj pa punë…

Po e bëj publike, për herë të parë si u bë kënga Mora Fjalë hit, ka të bëj Kavaja në këtë mes. Unë në tribunë, Sokol Cikalleshi në fushë dhe një person me origjinë nga Kavaja që është pjesë e stafit të ekipit, por që nuk po ia përmend emrin. Më pyesin se çfarë do të bëjmë para ndeshjes me Moldavinë, se çfarë këngësh duhej të vendoseshin në stadium dhe unë i dhashë listën e këngëve që duheshin, për ta bërë ambientin zjarr. Mes tyre ishte “Mora Fjalë” dhe “Jam djalë nga Tetova”. Ishte hera e parë që “Mora Fjalë” vendosej në stadiumin tonë kundër Moldavisë dhe tani nuk po hiqet më. Isha unë me Sokol Cikalleshin që e bëm të vendosej kjo këngë në stadium”, tha Tereziu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *