Dardan Vuthaj është kthyer në një protagonist absolut në radhët e Novaras. Nëntë ndeshje të zhvilluara dhe nëntë gola të shënuar për të në Serinë D. Marrëdhënia e sulmuesit me portën kundërshtare është e mirë, duke pasur parasyshe se në dy sezonet e kaluara ka arritur të shënojë repsektivisht 21 dhe 16 gola. Në një rrëfim për mediat italiane Vuthaj tregon se pasioni i tij për futbollin nisi duke parë të atin duke luajtur në fushën e lojës. “Prej aty filloi gjithçka, unë flija me topin”, e nis ai rrëfimin, teksa më pas flet edhe për ekipin ku ndodhet dhe faktin se potencialin e tij e kanë zbuluar që herët sulmuesë të njohur si Borriello dhe Gilardino.
Novara: “Faleminderit edhe për qytetin që më priti krahëhapur, si brenda dhe jashtë fushës, njerëzit më bënë të ndihem menjëherë si në shtëpinë time. Sa i përket ekipit, ne jemi një grup i mirë, kemi një staf të madh dhe një trajner të madh”.
Goli më i bukur “Për mua, të gjithë golat janë shumë të rëndësishëm dhe të bukur, nga i pari tek i fundit, por goli klasik ku topi kërcen nga ju dhe përfundon në portë është më i bukuri nga të gjithë. Por ndoshta në Asti, ditën e parë, shënova një gol të mirë, shumë të vështirë”.
Nisja e karrierës në Genoa: “Jam rritur këtu dhe falë Genoas jam bërë edhe futbollist. Kur isha fëmijë, sulmues si Borriello dhe Gilardino panë potencial tek unë dhe më ndihmuan shumë”.
Të mos qenurit qytetar i BE-së: “Unë jam një person shumë pozitiv, por duke folur për të kaluarën, një episod që më shënoi negativisht, ndodhi kur u largova nga Genoa. Pas Grifone-s nuk mund të luaja në asnjë ligë tjetër, as në Serinë C dhe as në Serinë B sepse isha jo anëtar i BE-së dhe kjo më la shumë gjurmë. Isha mësuar me një lloj tjetër futbolli dhe më duhej të përshtatesha, m’u desh një kohë të mësohesha me futbollin e Serisë D por dalëngadalë me punë ia dola”, është rrëfyer Dardan Vuthaj./Sport Ekspres/