Ka luajtur me 3 nga 4 ekipet që duan titullin e Superiores, Rubin Hebaj tregon preferencën në Shqipëri

Rubin Hebaj ka fituar titullin kampion me Shkëndijën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Sulmuesi nuk ka gjetur hapësirën e dëshiruar me ekipin e Gjokës, megjithëse është i lumtur për suksesin e arritur dhe ka dhënë ndihmën e tij në momentet kur i është besuar. Në intervistën që ka dhënë për “Report TV”, Hebaj ka treguar emocionet e përjetuara nga titulli dhe njëkohësisht ka folur për “Ballistët” që hyrën në ndeshjen e fundit në stadium, pavarësisht se kjo ishte e ndaluar.

“Jam shumë i kënaqur që mora edhe një titull tjetër në karrierën time. Siç isha i lumtur shumë kur mora titullin me Partizanin, Kupën dhe Superkupën me Teutën ashtu jam edhe me Shkëndijën e Tetovës. Mund ta quaj një sezon shumë të mirë pavarësisht të gjitha peripecive që solli pandemia. Për ballistët mund të them vetëm fjalë të mira. I falenderoj shumë sepse zgjodhën të festonin bashkë me ne titullin kampion edhe pse nuk lehohej. Ata e gjetën mënyrën, u futën ne stadium, kënduam, bërtitën sepse donin me çdo kush të ishin të pranishëm”, tha Hebaj.

Sulmuesi ka luajtur gjithashtu me tre nga katër ekipet që pretendojnë titullin në Shqipëri. Por kë zgjedh Hebaj mes Partizanit, Vllaznisë dhe Teutës? “Mendoj se edhe Laçi me Vllazninë janë në garë për titull sepse janë dy pikë larg. Gjithsesi shpresoj ta fitojë më e mira, por unë e kam shprehur edhe më parë se kam luajtur për Vllazninë, Partizanin dhe Teutën dhe jam ndjerë shumë i kënaqur si pjesë e tyre, por unë jam nga Shkodra dhe dëshira shkon për Vllazninë”, tha Hebaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *