Juliano: Të gjithë në provë, nuk ka përçarje

Trajneri Juliano: Bardhi dhe Xhixhiua po më befasojnë. Do ketë ndryshime në formacion. S’jam si Ançeloti, futbollistët më duan

Trajneri i Partizanit, Mark Juliano, ka dalë në një konferencë për shtyp ditën e djeshme. Numri një i stolit ka folur nga zyrat e klubit, në orën 14:30. Italiani i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Numri një i stolit ka folur për gjendjen e ekipit të tij, por edhe situatave që janë krijuar së fundmi në radhët e “demave”.  

– A vjen ndeshja me Lushnjen në momentin e duhur për Partizanin?

– Ne jemi në një pozicion aspak të mirë, por gjithsesi kjo ndeshje vjen në një moment kur duhet të marrim fitoren e parë. Djemtë kanë një dëshirë mjaft të madhe për të marrë rezultat pozitiv.

Si e analizuat humbjen ndaj Skënderbeut?

– Në ndeshjen ndaj Skënderbeut nuk dhuruam një paraqitje aspak të mirë. Kemi diskutuar gjatë për atë humbje. Lojtarët kryesorë kanë marrë përsipër përgjegjësitë, gjithsecili, dhe tashmë duan të bëjnë më të mirën nga ndeshja e radhës.

– Si është situata psikologjike në skuadër?

– Me anë të statistikave të tri javëve të para, e pranojmë se kanë ndikuar negativisht në aspektin psikologjik. Ne kemi punuar shumë për të përmirësuar jo vetëm anën psikologjike të skuadrës, por edhe atë fizike të disa lojtarëve, që i konsideroj të domosdoshëm. Shpresoj të marrim fitoren e parë dhe të çlirohemi. Personalisht them se lojtarët duhet të jenë të qetë në fushën e lojës, të japin më të mirën për skuadrën, klubin dhe tifozët.

Cila është e vërteta në lidhje me  Edgar Çanin?

Çani ka ndjekur një program riaftësimi me përgatitësin atletik. Ai po vijon fazën e rikuperimit. Çdo gjë po bëhet me maturi nga stafi teknik dhe ai mjekësor. Ne e presim me padurim që të kthehet në 100 për qind të formës. Klubi pret shumë prej tij, ne presim golat e Çanit.

A i trembeni ndonjë surprize me Lushnjen?

– Sa i takon kundërshtarit, nuk dua ta mendoj fare nëse është në nivel më të ulët, apo të lartë. Ne duhet të respektojmë këdo që kemi përballë, të japim më të mirën dhe të arrijmë rezultatin. Lojtarët duhet të demonstrojnë pikë së pari tek mua se sa të zotët janë, sepse kam qenë i pari që i kam përzgjedhur dhe sjellë te Partizani. Unë jam i pari që pres përgjigjen më të mirë prej tyre.

– A do të ketë ndryshime në formacion kundër Lushnjës?
– Kemi bërë ndryshime në formacion ndeshjen e mesjavës, në Kupë, kundër Naftëtarit. Roli i Prognit si mbrojtës i djathtë më dha disa sinjale pozitive. Më e rëndësishmja është se në çdo pozicion që ta aktivizoj, ai do të bëjë detyrën. Mund të ketë të tilla lëvizje në formacion edhe ndaj Lushnjës. Edhe Xhixhiua më ka dhënë sinjale pozitive dhe, pse jo, mund ta nisë si titullar. Paraqitja e Bardhit po më vë në vështirësi për një vend titullari, po ashtu. Rezultati negativ mund të konsiderohet dramë prej shumëkujt, ndërsa unë do ta cilësoja të tillë, duke parë paraqitjen e skuadrës. Nëse Lushnja do të na vërë në vështirësi, atëherë skuadra jonë nuk do të bëjë atë që të gjithë presim. Shpresoj që lojtarët të japin gjithçka dhe të zhvillojnë një lojë si në pjesën e dytë ndaj Kukësit.

Cili është lojtari që ju ka befasuar më shumë?

Bardhi ka bërë përmirësime të mëdha nga periudha e stërvitjes në ndeshje. Wshtë një lojtar i ri, por me shumë të ardhme. Ai kërkon të bëjë mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë, në kampionate europiane. Një tjetër emër që do ta vlerësoja është sulmuesi Xhixhiua, i cili kur ka ardhur nuk e njihte askush, por me çfarë po tregon, sidomos në stërvitje, është me talent dhe pritshmëritë e tij do të jenë të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *