Trajneri i Partizanit, Mark Juliano, nuk ndryshon ide për Partizanin e tij. Goli mungon, por ashtu si javën e shkuar, italiani i bën komplimente skuadrën dhe deklaron se është i kënaqur nga paraqitja kundër Kukësit, duke veçuar vetëm një problem, gjetjen e golit, që sipas tij nuk erdhi edhe për shkak të fatit të keq apo portierin kundërshtar.
“Ishte një ndeshje e bukur, luajtëm shumë mirë, dominuam gjithë ndeshjen dhe rastet që pati kundërshtari erdhën nga gabimet tona. Jam shumë i kënaqur, skuadra po rritet. Tani është kthyer edhe Çani, që nuk kishte luajtur as 45 minuta të plota deri tani.
“Na duhet pak fat. Nuk po arrijmë të zhbllokohemi, erdh për fat të keq, herë për meritë të kundërshtarit, herë për meritë të portierit kundërshtar. Skuadra dha gjithçka, lojtarët janë të trishtuar, sepse e donin patjetër këtë fitore, e donin për tifozët dhe presidentin. Megjithatë, u thashë që nëse luajnë me zemër si sot, atëherë do të jemi deri në fund në garë për titull.
“Duhej të krijonim, por duhej të punonim shumë edhe në fazën mbrojtëse, sepse nga krahët Kukësi po sulmonte shumë. Progni e Trashi bënë një punë të shkëlqyer, duke ndihmuar edhe fazën mbrojtëse. Rastet mund të krijohen jo vetëm me krose, por edhe me lojë të shpejtë e pasime, ndërkohë që sot na ndali edhe portieri kundërshtar.
“Bardhi është lojtar i yni, natyrisht që për atë u fut. Ndeshja ishte si shah, kishte shumë studim ndaj kundërshtarit. Vetë e thatë që në aspektin territorial dominuam, ndaj duhet të përmirësohemi në fazën sulmuese, sepse në kupë shënuam 6 gola dhe mund të shënonim edhe 20 të tjerë, por ndeshje si kjo e sotmja kanë nevojë për më shumë.
“Sot jam shumë i kënaqur nga skuadra. Po punojmë shumë që të jemi në formë optimale për gjithë sezonin, jo vetëm në shtator. Më vjen keq vetëm që nuk doli goli, për pjesën tjetër jam i kënaqur dhe më vjen keq për djemtë, që dolën të mërzitur”.