Klubi i Çelsit ka nisur një fushatë sensibilizuese për tifozët e ekipit, të cilët këndojnë kore raciste në stadium. Siç citon “The Sun”, drejtuesit e klubit kanë vendosur t’iu ofrojnë alternativa tifozëve të tyre. Ai që do të cilësohet fajtor do të ketë mundësinë të zgjedhë për “dënimin” e tij. Të mos marrë më pjesë në “Stamford Bridge”, ose të bëjë një vizitë në kampin famëkeq të përqendrimit në Aushvic.
Kush nuk e njeh historinë është i destinuar ta përsërisë dhe drejtuesit e “Bluve të Londrës” kanë vendosur të marrin këtë nismë. Largimi disa-vjeçar nga stadiumi nuk është zgjidhja ideale, sepse tifozët nuk ndryshojnë sjelljen dhe mentalitetin e tyre, ndërsa një vizitë në Aushvic mund t’i bëjë tifozët të reflektojnë dhe t’i “harrojnë” koret raciste.
Tifozët e Çelsit njihen për armiqësinë me ata të Totenhemit, klub që mbështetet në masë nga tifozë me origjinë hebrenj. Këta të fundit kanë përfunduar disa herë nën koret raciste të fansave të Çelsit dhe klubi i Abramoviç nuk dëshiron të përsëritet më kjo situatë. Presidenti i klubit, Brus Buk ka sqaruar këtë gjë në prononcimin e tij
“Të largosh njerëzit nga stadiumi nuk mjafton, sepse nuk e ndryshon sjelljen e tyre. Kjo politikë iu jep tifozëve mundësinë të kuptojnë atë çfarë kanë bërë dhe i bën të sillen më mirë. Në të kaluarën i identifikonim në mes të turmës dhe i largonim për tre vite nga stadiumi. Tani ju themi atyre ‘keni gabuar, keni dy alternativa: të mos vini më në stadium, ose të kuptoni gabimin tuaj’. Kur ka 100 tifozë që këndojnë kore raciste është e vështirë të ndërmerren masa, por ne mund të veprojmë me individët”, përfundon Brus Buk.