Jo vetëm futbolli, por edhe basketbolli është bërë bashkë në kërkesën ndaj Qeverisë për të ndryshuar ligjin e sponsorizimeve që do ta ndihmojë më tepër sportin në Shqipëri. Por nga ana tjetër basketbolli është duke e përjetuar më së shumti problemin me pandeminë teksa nuk kanë mundësinë për të organizuar aktivitet e tyre. Duke vendosur theksin te një indiferencë e madhe nga ana e Komisionit Teknik të COVID-19, që nuk merr mundimin të kthejë qoftë edhe një përgjigje negative, ka dalë në konferencën për shtyp sekretari i Federatës së Basketbollit, Korab Llazani.
“Shqetësimi ynë kryesor është indiferenca ndaj kthimit të përgjigjes, qoftë dhe negative nga ministria dhe Komisioni Teknik i Covid 19. Gjendemi përpara një skandali, jo vetëm profesional, por edhe ndërkombëtar, pasi FIBA ka sjellë datat e aktiviteteve ndërkombëtare, por ne nuk kemi as ku përgatitemi, jo më të marrim pjesë. Nuk e kuptojmë guximin e hekurt të autoriteteve shëndetësore për të mos kthyer përgjigje. Nuk besojmë se pallatet e sportit ne Shqipëri janë vatrat e rrezikshme europiane apo botërore të Covid-it, apo të jemi ne Ëhuan.”
Gjithashtu është theksuar edhe mbështetja e pikave të nisura nga ana e futbollit për Qeverinë, duke kërkuar ndryshimin e ligjit të sponsorizimit.
“Ne jemi ndër nismëtarët e kërkesës së ndryshimit të ligjit të sponsorizimit dhe të modernizimit të tij. Të rritet përqindja e të bëhet që ky ligj të funksionojë. Duket sikur gjithçka e merr përsipër futbolli, por ky vend nuk ka vetëm futboll dhe sportet e tjera të quhen fiskulturë. Na duhet medoemos që të shtohen financimet në sport dhe të ndryshojnë ligjet që e nxisin këtë gjë”, tha Llazani. /Sport Ekspres/