Kristian Vieri mbahet mend si një nga sulmuesit më potent italianë dhe një golashënues i vërtetë. Ish-bomberi e ka lënë pas krahëve futbollin, ndërsa tashmë ka nisur punën si dixhej muzike.
45-vjeçari ka dhënë një intervistë për anglezen “The Sun”, ku tregon për “jetën e re” dhe të ardhmen e tij. Bobo pret të shtohet me vajzë për një javë, zbulon planin e ri muzikor si dixhej, ndërsa tregon ëndrrën që kishte i vogël.
Vieri jep mendimin e tij për merkaton dhe çmimet e lojtarëve dhe zbulon një prapaskenë të një oferte nga Anglia. Nëse nuk do ishte bërë futbollist? Bobo e tregon dhe ka një përgjigje vërtetë interesante.
MUZIKA – “Për një javë lind vajza ime, zbavitem me miqtë e mi, me të dashurën, punoj dhe marr kohën time nga dita në ditë. Muzika? Quhet BOBO DJ show: është një producent muzike, një këngëtar dhe një trombë, që është e mrekullueshme kur e dëgjon live. Kjo është muzika që më pëlqen, muzikë ‘house’ dhe po sillemi nëpër Itali, por kemi marrë oferta dhe nga Europa. E nisa në gusht, stërvitem dhe studioj çdo ditë, duke u përkushtuar për disa orë të mira. Është e vështirë, por kur nis një gjë nga e para nuk është aspak e thjeshtë. Më pëlqen të miksoj muzikën e ABBA, Barry White dhe hite të tjera të viteve ’70.”
ITALIA – “Kur isha fëmijë në Australi ëndërroja të luaja në Serinë A dhe të arrija në kombëtare. Të luash për kombin tënd, besoj se është niveli më i lartë në të cilin një atlet mund të arrijë, në çdo lloj sporti. Kur vishja bluzën e Italisë, zemra më rrihte akoma më shumë dhe nuk arrija të mbushesha me frymë nga emocionet.”
MERKATO – “Askush nuk të drejton një pistoletë në kokën e një klubi. Kanë para, bëjnë llogaritë e tyre dhe blejnë atë që duan. Kjo është vetëm merkato, një merkato shumë e madhe, jo vetëm për turnetë dhe trofetë, por dhe për bluzat e shitura, biletat e ndeshjeve dhe të drejtat televizive. Klubet e mëdhenj duhet të blejnë lojtarë të mëdhenj, kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë. Nuk mund të ketë një tavan rrogash.”
PRAPASKENA – “Diskutuam me Çelsin, që kishte marrë Sven Goran Erikson, me të cilin kisha punuar te Lacio. Por, në fund qëndrova te Milani, sepse isha i lumtur aty. Premier është një kampionat shumë fizik, ndërsa në Itali është më e thjeshtë, sepse nuk merr shumë shkelma. Cfare do bëja pa futbollin? Ne Australi rritesh duke luajtur kriket, nese nuk do luaja futboll do isha goditësi më i mirë në botë në kriket. Ose tenisti më i mirë në botë.”