Altin Sulçe, kryeredaktori i sportit në Ora News ishte i ftuar në rubrikën e lajmeve në këtë televizion për të analizuar ndeshjen mes Çekisë dhe Shqipërisë, e mbyllur në shifrat 1-1. Sulçe vlerësoi së tepërmi tifozët kuqezinj dhe nga ana tjetër theksoi faktin se Shqipëria po realizon kryevepra nga distanca. Me batutë është thënë se tani Kombëtarja nuk ka më nevojë për dron pasi ka “raketa” për të shkuar në Europian.
“Kam një ndjesi për Kombëtaren. Dje rrugët dhe kafenet e Pragës gumëzhinin nga tifozët shqiptarë. Sa herë që tifozët shqiptarë e nisën festën në mënyrë të tillë, një ditë para ndeshjes, gjithmonë Shqipëria paraqitet mirë dhe del me rezultat të mirë. Duket sikur tifozët i thonë lojtarëve që jemi me ju dhe i japin forcë shtesë. Duket sikur i thonë: “Jemi me ty Berisha pas porte, jemi me ty Bajrami, jemi me ty Gjimshiti”.
Pra lojtarët tanë ndihen më të fortë kështu. Dua t’i përmend tifozët pasi për mua janë të jashtëzakonshëm, nuk e di nëse mund të gjejmë të tjerë kështu. Dhe pyetja është: “Çfarë kemi bërë ne?”. Kemi shkuar vetëm njëherë në Europian, kaq, asgjë tjetër. Imagjino nëse do të shkoje dy herë në Europian, imagjino nëse do të shkoje njëherë në Botëror. Mbyll sot, imagjino edhe pse është thuajse e pamundur të ndodh, nëse Shqipëria do të shkonte te katër ekipet më të mira të Europianit, çfarë mund të ndodh me këta tifozë?”.
Janë thjesht të çmendur, japin një mbështetje të jashtëzakonshme. Ismajli bëri ndeshje të mirë dje, Gjimshiti ishte fenomenal, Bajrami me atë golin e realizuar po ashtu. Tani nuk kemi nevojë më për drona që të shkojmë në Europian, kemi raketa si ato të Bajramit, si të Asanit apo të Asllanit. Silvinjo nuk po luan më me dy digat klasike, kërkon më shumë kreativitet, tani fut Asllanin dhe Bajramin”, tha Sulçe. /Sport Ekspres/