I lindur në Greqi, me origjinë nga Shkodra, Elton Fikaj dhe futbolli e kanë rrugën e përbashkët të hershme. Mbrojtësi, i cili në muajin tetor mbush 18 vjeç, është pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë dhe së fundmi është bërë edhe pjesë e ekipit të parë të gjigantit grek Panathinaikos. Eltoni ka mësuar herët ta godasë topin e më pas është regjistruar edhe në një akademi, siç rrëfen në rubrikën “Talenti shqiptar”.
“Që i vogël kam qenë me top në këmbë”, nis të tregojë Fikaj. “Hapin e parë për t’u përfshirë në futboll e kam bërë në moshën 5-vjeçare. Atëherë familja ime më regjistroi në akademinë e Apollon Smirnis këtu në Greqi ku unë kam lindur dhe jetoj”, shton mbrojtësi i ri, i cili sigurisht ka pasur mbështetjen e pakushtëzuar të familjes së tij.
“Babai është personi që më ka qëndruar më afër për sa i përket futbollit. Ai më ka këshilluar dhe ka bërë sakrificë të madhe që të arrij deri këtu ku jam sot”, shprehet Fikaj, i cili është pjesë e Shqipërisë U-19 të drejtuar nga Ervin Bulku. Gjithsesi ai rrugëtimin e tij me fanellën kuqezi ai e ka nisur më herët, që me 15-vjeçarët.
“Kur Shqipëria më ftoi për herë të parë, isha shumë i gëzuar. Familja ime u gëzua edhe më shumë. Ndeshja e parë e imja me Shqipërinë U-15 ka qenë kundër Kosovës. Është gjë e bukur të kalosh nga Shqipëria U-15, deri tek U-19. Çdo futbollist do e donte diçka të tillë, por dëshira ime është të luaj një ditë me Kombëtaren A”, shprehet Fikaj.
Së fundmi i riu shqiptar është përfshirë në listën e Panathinaikos për ndeshjet kualifikuese të Champions League dhe këtë gjë ai e komenton kështu: “Kjo do thotë që unë duhet të punoj edhe më shumë që të arrij sa më lart dhe mos të zhgënjej stafin e Panathinaikosit, që besuan tek unë”.
Fikaj ka procuar të luajë në UEFA Youth Champions me moshat e skuadrës greke, ndërkohë që tani pret debutimin me ekipin e parë. Kur shikon që në kampionatet e forta europiane shtohen lojtarët shqiptarë, mbrojtësi parashikon gjëra të mira për Kombëtaren kuqezi.
“Është gjë e bukur të shikosh shqiptarët të luajnë nëpër ekipe europiane, sepse një ditë ne si Shqipëri do arrijmë shumë lart. Edhe unë dua ta ndihmoj Shqipërinë të luajmë në Kupë e Botës”, deklaron adoleshenti shqiptar, i cili e ka një shembull si lojtar. “Shembull kam Mërgim Mavrajn si qendërmrojtës i majtë, pasi aty aktivizohem edhe unë këto tre vitet e fundit”, vijon Eltoni.