Armando Vajushi nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare këtë sezon dhe është në pritje të një oferte. Ajo ka ardhur dhe për 27-vjeçarin shkodran ka interes nga Rumania.
Siç raporton “TMW”, klubi i Botoshanit pëlqen Vajushin dhe është gati të arrijë marrëveshjen me të. Lojtari ofensiv ishte pjesë e Pro Verçelit në Serie B në sezonin e kaluar, ndërsa në fazën e dytë u huazua tek ekipi i Avelinos.
Në fund të sezonit ai ndërpreu kontratën me Pro Verçelin dhe që nga ai moment vazhdon të jetë një lojtar i lirë. Në tetor u përfol për një interesim të Kluzhit, ndërsa Botoshani pritet të jetë skuadra e tij e radhës.
Negociatat kanë nisur prej kohësh, lojtari ka kryer dhe fazën përgatitore me ekipin rumun dhe palët janë afër marrëveshjes. Akordi mund të arrihet brenda kësaj jave dhe Vajushi, i cili ka zhvilluar 6 ndeshje me kombëtaren kuqezi dhe ka shënuar një gol, do të nisë aventurën me ekipin që renditet në vendin e dhjetë në elitën e futbollit rumun.