Ardit Jaupaj është bërë vendimtar sot, duke i dhënë fitoren e parë sezonale Flamurtarit të Prishtinës. Kuqezinjtë nuk kishin fituar asnjë nga 6 ndeshjet e para dhe ishin nën presion të madh, por sot erdhi suksesi 2-1 ndaj Vllaznisë së Pozheranit, në një finale të vërtetë në fundin e tabelës. Jaupaj shënoi golin e dytë të ndeshjes, në minutën e 70-të, ndërsa golin e avantazhit 1-0 e kishte shënuar një tjetër produkt Shqipërie, shkodrani Jurgen Gjini, i cili spikati edhe sezonin e fundit, duke ndihmuar Flamurtarin të ngjitej në Superligë.
Fitorja ka ngjitur në vendin e parafundit Flamurtarin, me 5 pikë në 7 ndeshje, ndërsa Vllaznia mbetet në fund, me 3 pikë.
Ndërkaq, Trepça ’89 luajti sot një ndeshje tepër të rëndësishme kundër Llapit kryesues dhe e tregoi gjithë forcën e vet, duke fituar 3-1. Oto Xhon spektakolar, me 2 gola vendimtarë, ndërsa Bërbatovci barazoi përkohësisht në fundin e pjesës së parë. Llapi mbetet i pari, por Trepça ’89 ka vetëm 2 pikë më pak.
Mbrojtjen më të mirë në Superligë tashmë e kanë Prishtina e Feronikeli, që barazuan 0-0 sot në Prishtinë. Ishte barazimi i dytë rresht 0-0 për Mirel Josën, i cili ende nuk ka shijuar fitoren dhe golin e parë në drejtimin e Prishtinës.