Presidenti Takaj dhe mbrojtësi, batuta mes tyre: “Hë Jasha, do ikësh te Kukësi?” “Jo president, ata zgjodhën spanjollin para meje”
Leonard Trebicka
Dje është përhapur me shpejtësi lajmi se Jashanica ka marrë një ofertë nga Kukësi dhe mund të shkojë atje. Më konkretisht, menaxheri i futbollistit ka pasur një bisedë me drejtuesit veriorë, por as që bëhet fjalë dhe gjithçka është një trill mediatik. Jashanica nuk e ka menduar kurrë të largohet nga Skënderbeu për një ekip tjetër shqiptar. Dje, para seancës radhës stërvitore, Jashanica është shprehur shumë qartë: “Nuk e di nga kanë dalë këto fjalë, pasi në Shqipëri qëndroj vetëm te Skënderbeu dhe tek asnjë ekip tjetër. Nëse bëhet fjalë për një skuadër jashtë, jam gati të flas me presidentin dhe pse jo të mos bëhet realitet.” Para nisjes së stërvitjes ka pasur edhe batuta mes lojtarit dhe presidentit Takaj, teksa ky i fundit sapo kishte mbërritur në Korçë dhe i tha: “Hë Jasha, do të ikësh te Kukësi?” Mbrojtësi iu përgjigj: “Jo president, ata zgjodhën atë spanjollin para meje.” Jashanica ka dhënë edhe një intervistë për “Sport Ekspres”, ku ka folur për ndeshjen me Mladën.
– Jashanica, te Kukësi sezonin e ardhshëm?
– Nuk jam i interesuar dhe nuk kam qenë ndonjëherë në lidhje me këtë që po më thoni. Ma thanë para disa orësh për një lajm të tillë, por nuk është aspak i vërtetë. Kam qenë dhe jam i Skënderbeut.
– Nuk keni pasur asnjë ofertë nga drejtuesit e klubit verior?
– Janë thashetheme, që nuk e di nga kanë dalë. Menaxheri im ishte dhe është Shkumbin Qormemeti. Nëse do të kishte ndonjë lajm, mund të ishte për ndonjë ofertë nga jashtë, pasi në Shqipëri nuk ka skuadër tjetër, veç Skënderbeut.
– Po nëse do të keni ndonjë ofertë konkrete nga jashtë, do të largoheni?
– Këtu ndryshon puna. Nëse do të kisha një ofertë të tillë, do të ulesha me presidentin Ardjan Takaj dhe menaxherin tim e do të bisedonim. Nëse oferta do të ishte e mirë, pse të mos e pranoja me dëshirën më të madhe. Një ofertë të tillë do ta dëshironte gjithkush dhe shpresoj, përse jo, një ditë të jem te një skuadër me emër në Europë. Për në Shqipëri nuk kam për të lëvizur nga Skënderbeu. Nuk dua të diskutohet më diçka e tillë. Flasim më mirë për ndeshjen e radhës, pasi aty jemi përqendruar të gjithë.
– Atëherë, si e parashikoni sfidën e së enjtes në transfertë?
– Sigurisht që është e vështirë, pasi ndeshje pas ndeshjeje çdo gjë vështirësohet më shumë. Të gjithë përpiqen të kalojnë më tej dhe kundërshtarët bëhen më të fortë edhe në letër. Gjithsesi, kemi ditë që kemi filluar të mendojmë për këtë ndeshje dhe deri të enjten do të jemi 100% gati për të zhvilluar një lojë të bukur, për ta nisur që aty kualifikimin.
– Me këtë doni të thoni se do ta kaloni Mladën?
– Përse të mos e bëjmë realitet një gjë të tillë. Kaluam Kairatin dhe Mlada nuk është se ka ndonjë skuadër shumë herë më të fortë se ai. Nuk i trembemi. Kemi vetëm një objektiv, të marrim një rezultat sa më pozitiv në ndeshjen e parë, në mënyrë që në kthim ta kemi edhe më të lehtë. Gjithsesi, Mlada do vlerësim maksimal dhe, siç u përqendruam me Kairatin, do të bëjmë edhe në raundin e tretë.
– Por mungojnë Lilaj dhe Xhejms. Sa ndikojnë këto mungesa?
– Çdo mungesë është e rëndësishme dhe do të ndihen, por kemi një grup të madh lojtarësh. Ata që do të luajnë, mendoj se do t’i zëvendësojnë, do të jenë dinjitozë në fushë dhe do të japin më të mirën. Kam shumë besim se do t’ia dalim.