Janë një hap larg Kupës së Mbretit, Muriqi premton: Rri 2 vite pa shënuar për një gol në finale

Vedat Muriqi ka zhvilluar një intervistë për “Cadena SER”, ku qendra e bisedës ka qenë finalja e Kupës së Mbretit. Majorka do të përballet me Atletik Bilbaon ditën e dielë për këtë trofe të rëndësishëm. Muriqi ka premtuar se nuk do të përbënte problem edhe nëse do të qendronte 2 vite pa shënuar në rast se realizon golin e fitores në finale. Sa i përket të ardhmes dhe një mundësie për të luajtur në Premier Ligë, “pirati” është përgjigjur se nga Majorka do të largohet vetëm nëse klubi nuk e sheh më pjesë të projektit. Dëshira e tij është të qendrojë me skuadrën ishullore.

“Po të shënoj golin e fitores, nuk ma ndjen nëse do të qendroj më pas 2 vite pa shënuar. Jam gati të firmos për këtë premtim. E ardhmja në Premier Ligë? As që e mendoj, ju betohem. Së bashku me familjen jemi shumë të kënaqur këtu. Bëhen gati tre vite që jemi këtu. Jemi shumë të lumtur dhe unë kam një kontratë. Deri sa të më thojë trajneri ose drejtorët e klubit: ‘Muriqi, nuk të duam’… është futboll dhe e kuptoj. Atëherë do të largohesha. Por përderisa nuk më thonë atë do të qendroj këtu. Nëse më ofrojnë 2 vite të tjera kontratë, atëherë janë të mirëpritur”, ka deklaruar Vedat Muriqi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/