Visar Musliu para pak kohësh pati një ofertë nga Mol Vidi, por Shkëndija e Tetovës refuzoi 500 mijë eurot e ofruara nga klubi hungarez. Kuqezinjtë ishin të qartë, duke vënë suksesin sportiv para parave që do të arkëtonin nga transferimi i qendërmbrojtësit.
Tashmë është një tjetër lojtar i prapavijës që kërkohet nga jashtë Maqedonisë së Veriut. Egzon Bejtulai, i pozicionuar në qendër të mbrojtjes, sipas “Sportmedia” ka një ofertë nga Polonia dhe konkretisht nga Jagellonia.
Në kushtet kur Shkëndijën e ndajnë pak ditë nga ndeshja e Europës me Nome Kajlu, gjasat janë që të refuzohet edhe ky propozim. Këtë herë nuk flitet për shifra, por interesimi është konkret dhe Bejtulai pëlqehet shumë nga polakët.
Mbrojtësi 25-vjeçar është pjesë e Shkëndijës prej gjashtë sezonesh dhe është një nga titullarët e Maqedonisë së Veriut, çka tregon qartazi edhe cilësitë e tij dhe rëndësinë në formacionin e trajnerit Qatip Osmani.