Shpërthimi i Alban Hasanit/ Drejtori i Akademisë: Në Shkodër s’duhet të vijnë lojtarë, që dalin tepërt diku tjetër. E fusin futbollin shkodran në kolaps, pasi shehsin e blejnë
Gaspër Marku
Akademia e Futbollit Vllaznia po e kryen më së miri funksionin e saj. Pak ditë më parë Vllaznia U-19 u shpall kampione e Shqipërisë, ndërkohë që dihet se shkolla shkodrane e futbollit prodhon gjithmonë lojtarë cilësorë të perspekitvës. Drejtori i akademisë, Alban Hasani, duke qenë afër skuadrës së parë, në një farë mënyre bëhet edhe “avokat” i kontigjentit cilësor të akademisë, që kërkon hapësirat e nevojshme për vazhdimin e karrierës te Vllaznia. Hasani është nga ata persona në Shkodër, që i mëshon ndërtimit të një Vllaznie me sa më shumë shkodranë, sepse, sipas tij, vetëm ata janë garancia dhe siguria për të ardhmen e asaj. Për “Sport Ekspres”, drejtori i akademisë flet me shumë rritim për këtë temë, duke iu referuar disa komenteve se në skuadër do të ketë sërish futbollistë jabanxhinj. “Këto ditë kam lexuar në media se lojtarët jabanxhinj, me pafytyrësinë më të madhe, madje edhe pse kanë bojkotuar ndeshjen e fundit, më të rëndësishmen të 100 viteve histori të futbollit shkodran, pretendojnë të qëndrojnë në Shkodër. Ky do të ishte një turp i madh për klubin, nëse bëjnë pazare për të sjellë këto fytyra të pakëndshme, që na kanë shitur dhe blerë gjatë të gjithë vitit. Këtu Vllaznia nuk është kishe dhe as xhami, por është një vend, ku luhet futboll. Dhe, nëse nuk kemi zënë mend pas sezonit që lamë pas, atëherë për mua këtu është një kolaps total për futbollin shkodran”, – shprehet Hasani jo pak i revoltuar për situatën e krijuar. Më pas, po për këtë temë, ai vazhdon të përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta, që, sipas tij, janë të gjitha në shërbim të futbollit shkodran. “Si të jetë Cungu apo një trajner tjetër, baza e lojtarëve të jetë nga Shkodra, sepse e kanë treguar veten gjithmonë në fushën e lojës. Nuk jam kundër lojtarëve jabanxhinj, të cilët mund të jenë lojtarë me peshë, që bëjnë diferencën dhe jo lojtarë, që në kampionatet e Malit ët Zi, Kroacisë apo edhe të Tiranës mbeten pa ekip dhe vijnë te Vllaznia, marrin lekët dhe ikin”, – thotë Hasani për “Sport Ekspres”.
PANDERSHMËRIA – ”Plus, sipas shtypit dhe opinioneve në përgjithësi, lojtarët e huaj nuk kanë luajtur pastër në Shkodër dhe kjo është një diçka, që të vjen keq. Nuk është dashur që Vllaznia të shkonte deri në ndeshje të fundit për shpëtimin nga kategoria, duke qenë ndër ditët më të vështira për shkodranët që përjetuan atë ankth”, – ka shtuar në fund drejtori i akademisë, Hasani, duke qenë kushti i prerë kundër ardhjes së lojtarëve të huaj te Vllaznia.