Ja si ndryshoi Milani i Montelës, priten goditje të tjera!

 

Çalhanoglu-Konti, Montela nis grumbullimin me 7 blerje? Turku do të firmosë të hënën, ndërsa për mbrojtësin e Atalantës duhet pritur gjithashtu, edhe pse javën tjetër grupi i Milanit do të bashkohet me shumë risi

Milani nuk di të ndalet dhe, ashtu sikurse kishin premtuar, drejtuesit kuqezi, pra Fasone dhe Mirabeli (administratori i deleguar kuqezi dhe drejtori sportiv) kanë arritur të çojnë në 6 numrin e blerjeve zyrtare, edhe pse fillimisht lojtari duhet të kryejë vizitat mjekësore. Bëhet fjalë për fantazistin turk, Hakan Çalhanoglu, i cili ditën e sotme do të mbërrijë Milano, teksa do të zhvillojë seancën e parë të vizitave mjekësorë, pasi vetëm ditën e hënë do të kryejë ato që mund të japin edhe “dritën jeshile” në mënyrë që të mbyllet gjithçka. Sa i përket detajeve mes dy klubeve, flitet për 20-21 milionë euro dhe bonus, pra diku te 25 mln euro në total dhe, duke menduar se vetëm në fillim të verës “aspirinat” kërkonin plot 30 mln euro dhe, më keq akoma, vitin e shkuar deri në 40 mln euro, kjo është një “kryevepër” e Mirabelit dhe Fasones.

Kështu, Montela do të ketë edhe një tjetër futbollist me këmbët e “edukuara”, teksa pritet edhe një tjetër lojtar të vishet kuqezi. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Atalantës, Andrea Konti, që tashmë të hënën mund të bashkohet me kuqezinjtë për vizitat mjekësore gjithashtu. Në fakt, duhet theksuar se Atalanta dhe Milani kanë rënë dakord dhe vetëm 1 milionë euro e bëjnë diferencën, teksa është përfshirë kartoni i Pesinës, të riut të talentuar kuqezi, që është kërkuar nga Gasperini.

“Zoti” – Xhulio Donati, mesfushori i Maincit por edhe njohje e vjetër e futbollit italian, ka folur për “Sky Sport” në lidhje me ish-shokun e tij të skuadrës, në kohët e Bajer Leverkusenit, Hakan Çalhanoglu, objektivi i merkatos së Milanit: “Çalhanoglu është një djalë i veçantë, tërheq dashuri. Eshtë specialist në goditjet standarde, por nofka e tij jo më kot është “Zoti i goditjeve të dënimit”, por është një futbollist i aftë që japë edhe shumë asiste dhe të futet në zonë dhe provojë edhe ai që të shënojë.

Blerje e rëndësishme dhe mendoj se do të ambientohej shumë shpejt në mesfushën e Milanit”.  Praktikisht, ashtu sikurse kishin premtuar, pra që 70% e skuadrës duhet të ishte e bërë gjatë grumbullimit, drejtuesit kuqezi kanë mbajtur fjalën.

Roli – Me afrimin e Hakan Çalhanoglusë, Milani ka disa alternativa tashmë dhe Montela do të nisë studimin, edhe pse do të donte të konfirmohej edhe Lukas Bilia, por “ndeshja” me Lacion do të zgjasë pak më gjatë dhe në fund mund të mos bëhet asgjë. Në fakt, nga skema klasike 4-2-3-1, te ajo 4-3-3, por edhe te 3-5-2, në rast se do të vijë një sulmues tjetër, pasi Baka dhe Lapadula janë thuajse të larguar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *