Në mbrëmjen e sotme do të fillojnë edhe ndeshjet e fundit për grupet e Botërorit. Deri tani është Portugalia, Brazili dhe Franca që kanë siguruar kalimin më tej. Por asnjëra prej tyre nuk ka siguruar vendin e parë dhe do të kenë motiv për të luajtur në këto përballje.
Pyetja që të gjithë shtrojnë është: “Po çfarë ndodh nëse do të kemi pikë të barabarta mes Kombëtareve?”. Këtu vlen të theksohet se kriteret e FIFA janë ndryshe nga ato të UEFA. Përshembull, UEFA i jep përparësi ndeshjeve direkte në Europian apo edhe në Champions League.
Ndërkohë për FIFA, më kryesorja është diferenca e golave. Pra nëse dy Kombëtare do të kenë të njëjtën sasi pikësh, fillimisht do të merret golavarazhi për të vendosur fituesin. Nëse diferenca e golave është e barabartë, më pas është kriteri i golave të shënuar. Vetëm pas këtyre rregullave kalohet në përballjen direkte. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/