“Italinë e lamë jashtë një herë, i ka ardhur radha Anglisë”, Zylbehari e merr me humor shortin e Maqedonisë së Veriut

Nëse me Shqipërinë dhe Kosovën goglat ishin më bujare, me Maqedoninë e Veriut fati është treguar i ashpër. Fqinjët lindorë ndodhen në një grup “ferri”. Mjafton të përmendim Italinë, Anglinë dhe Ukraniën për të kuptuar se kualifikimi ngjason më tepër me një mision të pamundur. Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka folur në një lidhje paralele me emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, ku nuk i ka kursyer batutat. Zylbehari ka bërë humor, duke u shprehur se pas Italisë, tani vjen radha për të lënë jashtë Europianit Anglinë.

“Ne Italinë e lamë jashtë një herë, tani ndoshta i ka ardhur rasti Anglisë. Gjasat për kualifikim me rivalë të tillë bëhen të vogla, nuk bëhen të heqësh dorë që në fillim. Por duhet të jesh i sinqertë me mundësitë reale dhe me faktin që kush është kush në kualifikimet për Kampionatin Europian. Në aspektin e pjesës komerciale është diçka e bukur. Për të drejtat televizive dhe për reklamat do të jetë e bukur. Për pjesën sportive ndoshta do të kishim shpresuar diçka si Shqipëria apo Kosova, edhe pse ata nuk e kanë të sigurt.

Është e çuditshme çfarë ndodh me Maqedoninë. Në play off për Kupën e Botës, nga të gjithë përfaqësueset, po të zgjedhësh më të keqen e mundshme, shkon bie Italia dhe më pas Portugalia. Të paktën njëra më e lehtë, njëra të jetë ndryshe. Të gjithë kanë shpresuar nga vazo e parë dhe e dyta të jenë më të lehtë, por ky është short. S’kemi ç’të bëjmë, do luajmë dhe do provojmë shanset tona. Shumë të rezervuar edhe nga Italia, nuk është se janë gëzuar. Në dy përballjet e fundit me Italinë, në Torino kemi barazuar 1-1, i kemi mundur në Palermo.

Shqipëria? Jam i kënaqur. Kombëtarja i ka shanset e veta. Është një short relativisht i favorshëm, gjithmonë nëse çunat do e bëjnë detyrën dhe do i japin hakun punës së tyre. Do Zoti ndodh një mrekulli dhe një kualifikim i mundshëm”, është shprehur Faton Zylbehari./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *