Ishte pranë shkarkimit nga Reali, Zidan pas fitores ndaj Barcelonës: Nuk kemi harruar sesi luhet futbolli

0

Nga Klaudio Ndreca

Zidan rrezikonte një shkarkim të mundshëm nëse do të humbiste ndaj Barcelonës dhe loja e Realit të Madridit nuk do të bindte në “El Clasico”. Pas një serie rezultatesh zhgënjyese ka ardhur një triumf ndaj rivalëve të përjetshëm, që do ta qetësojë trajnerin e madrilenëve për pak kohë.

Megjithatë fitoret duhet ta pasojnë këtë triumf ndaj Barcelonës dhe vetë Zidan është i ndërgjegjshëm për këtë aspekt. “Në fund, kemi grumbulluar vetëm tre pikë, asgjë më tepër”. Por kur flitet për formën e Realit të Madridit, trajneri nuk ngurron që t’u kthehet kritikëve dhe t’i tregojë me kënaqësi se nuk është harruar sesi luhet futbolli.

“Jam shumë i lumtur për lojtarët e mi pasi është një fitore që shkon për të gjithë klubin. Kemi luajtur një ndeshje perfekte. Sigurisht që jo të gjitha rrotulloheshin rreth perfektes, por nuk është e lehtë që të fitosh në “Camp Nou”. U përgatitëm mirë. E dinim se duhej që të funksiononim si grup dhe të rikthenim besimin. Ishte një ndeshje e madhe për t’u rikthyer dhe kemi vetëm këto tre pikë tani, asgjë më shumë.

Ishim shumë të fortë në mbrojtje. Po luanim ndaj një kundërshtari që luan futboll të hapur kështu që kishim hapësirat tona dhe filluam të lëviznim. Ashtu si në golin e tretë ku Luka Modriç gjeti shokun e tij të ekipit. Ne nuk kemi harruar sesi luhet futbolli, madje e dimë mirë, vetëm se në disa raste luajmë ndaj disa ekipeve që vetëm mbrohen dhe kjo na i komplikon gjërat”, u shpreh Zidan. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.