Mamadu Tunkara është sulmuesi i ri i Flamurtarit!
Goditje në fund të merkatos për Flamurtarin, një okazion që nuk duhej humbur. 22-vjeçari me nënshtetësi spanjolle dhe senegaleze, do të huazohet te klubi vlonjat, konfirmon Supersport, me Igli Taren që duket se i ka bërë një dhuratë Sinan Idrizit.
Tunkara, i rritur te të rinjtë e Barcelonës dhe më pas tek ata të Lacios, për të kaluar në ekipin e parë të kryeqytetit italian, luan si sulmues qendre, por edhe në krahë.
Emri i tij iu propozua dhe edhe Skënderbeut, nga ndërmjetës, por ka qene vendimtare ndërhyrja e Sinan Idrizit, i cili duke përfituar edhe nga miqësia me Taren, ka mbyllur gjithçka në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Është një lojtar që klubi i Igli Tares e ka huazuar vitet e fundit në skuadra si Krotone dhe Salernitana, duke i dhënë mundësinë e aktivizimit, pasi në ekipin e parë të Lacios është shumë e vështirë të gjejë hapësirë për shkak të konkurrencës së madhe.
Flamurtari është aktivizuar edhe për faktin se ditët e fundit ka lënë të lirë fantazistin Gafuri, i cili ka kërkuar të kthehet në Maqedoni. Me emra si Muarem, Nedeljkoviç e Tunkara, Flamurtari ka shtuar ndjeshëm forcën sulmuese, pasi ka në skuadër edhe lojtarë niveli si Bushiç, Danilo Alvesh, Hoxhaj e Kamara.