“Isha nervoz te penalltitë, por kemi portier të jashtëzakonshëm”, Grizmani tregon sakrificën: Ende ndjej dhimbje, por më duhej të sforcohesha

Atletiko e Madridit-Inter ishte një ndeshje vërtetë e denjë për Ligën e Kampionëve, pasi emocionoi shumë sportdashës me atë çfarë prodhoi në fushën e lojës. Për të përcaktuar ekipin çerekfinalist u nevojitën penalltitë, nga ku spanjollët u treguan më të saktë. Grizman ka folur për “Movistar”-in pas përfundimit të ndeshjes dhe ka treguar përshtypjet e tij të para pas kualifikimit për në 8 më të mirat e Europës.

Penalltitë: “Shumë i lumtur sot. Kjo është Atletikoja. Nuk ka ndeshje të qeta, ne duhet të luftojmë deri në fund. Isha nervoz, sepse në raundin e fundit, që ishte në finalen e Botërorit, humbëm (me penallti). Por u besova shumë lojtarëve dhe për më tepër, kemi një portier të jashtëzakonshëm”.

Lëndimi: “Kam provuar kundër Bilbaos, por ishte e pamundur. Nuk munda as të bëja as një hap. Dita e sotme ishte e rëndësishme për ekipin dhe për mua dhe më duhej të bëja sforcim. Edhe pse më dhemb akoma kur bëj disa gjeste”.

Tifozët: “Kanë qenë në atë nivel për një kohë të gjatë. Ndonjëherë ne dështojmë, por është e paqëllimshme. Ne japim gjithçka, por mund të shihni te rezultatet që në shtëpi jemi një ekip tjetër dhe kjo është falë tifozëve. Ata nuk ndalen kurrë. Ishin aty në stadium që prej orës tetë të pasdites. Stadiumi ishte plot. Është kënaqësi të luash për një tifozeri të tillë”, ka deklaruar Antuan Grizmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/