Xhovani Kolela është emri i parë në tavolinën e të kuqve. Italiani me eksperiencë në vendin e tij. Ka drejtuar edhe Komon e Renaten
Starova kishte të drejtë kur deklaronte publikisht se “demave” do t’i propozohen shumë emra trajnerësh. Akoma pa “mbyllur” mirë fjalinë, “demave” i ka trokitur në derë alternativa e parë. Italian, sigurisht. Mbase, trajnerët fqinjë kanë zbuluar “ëndrrën amerikane” përtej Adriatikun, në pjesën tonë, ndryshe nga emigrantët tanë në vitet 90’. Klubi i kuq ka rënë në radarët e trajnerit Xhovani Kolela. Një emër i panjohur në Shqipëri, por me një CV për t’u pasur parasysh. 50-vjeçari i ka hedhur me radhë hapat e karrierës së tij dhe ka kaluar nga moshat te ekipet e të rriturve. Karriera e tij ka qenë e përqendruar në Itali, ndërsa tani kërkon të provojë fatin jashtë vendit të tij.
PROPOZIMI – Me trajnerin Sulejman Starova një hap larg shkarkimit nga detyra e trajnerit kanë filluar të vijnë edhe propozimet e para për të marrë drejtimin e ekipit. Të kuqtë duan Mlladen Milinkoviç, por kjo nuk pengon menaxherët e ndryshëm që të propozojnë alternativat e tyre. I pari që ka mbërritur në zyrat e “demave” është italiani Xhovani Kolela. Italiani ka “shpallur” kandidaturën për të marrë drejtimin e Partizanit pas largimit të Starovës. Një emër që duket se do të mbetet në tryezë, pasi drejtuesit e “demave” kanë qëllime dhe plane të tjera.
KOLELA – 50-vjeçari është italian dhe e gjithë karriera e tij ka qenë e përqendruar në vendin e tij. Pjesën më të madhe të eksperiencës e ka akumuluar te moshat ku ka pasur drejtimin e skuadrave U-19 të Komos, Veronës dhe Trevisos. Vitet e fundit ai ka drejtuar edhe ekipe me peshë në Itali ku mund të përmendet Komo, Renata dhe Siena. Aventurat e tij nuk kanë qenë shumë afatgjata, pasi te Siena ka qëndruar për 6 muaj, te Renate po ashtu 6 muaj, ndërsa te Komo për një sezon e gjysmë.
Kulmi më i lartë i tij është Lega Pro, kategoria e tretë italiane. 50-vjeçari kërkon të kalojë në drejtimin e Partizanit tashmë.
SKEMA E PREFERUAR – Italiani njihet si një trajner i shkollës së re, pasi skema e tij e preferuar është 3-5-2. Afrimi i tij dhe aplikimi i mundshëm i kësaj skeme do të sillte një ndryshim në kampionatin tonë, pasi nuk ka asnjë skuadër që e ka bazë një skemë të tillë. Ah po, një kriter e fiton, pasi presidenti Demi kërkon një ekip sulmues. Për momentin, Partizani nuk i ka lojtarët që të aplikojë një rreshtim të tillë, pasi nuk ka kontingjent të mjaftueshëm.
MUNDËSITË – Shanset që Kolela të marrë drejtimin e Partizanit janë të ulëta, pasi drejtuesit kanë piketuar emra të tjerë, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. 50-vjeçari është italian, Partizani drejt asaj fryme është drejtuar, prandaj asgjë nuk është e pamundur, gjithsesi mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim.