Ish sulmuesi i Mançesterit ngreh në piedestal Jurgen Klopin: Nëse ai qëndron tek Liverpuli, do të dominojnë për 10 vite të tjera

0

Ka shumë pak dashuri mes ish-sulmuesit të Mançester Junajtid, Uejn Runi dhe tifozëve të Liverpulit, të cilët më herët kanë deklaruar se e urrejnë anglezin. Megjithatë ditën e sotme, Runi ka vlerësuar ekipin e Liverpulit si një nga më të mirët e dekadës dhe për këtë ka bërë përgjegjës pikërisht Klopin. ‘’The reds’’ ndodhen në vendin e parë, 22 pikë më shumë sesa rivalët kryesorë, Mançester Siti.

Ky dominim është i rrallë për kampionatin anglez që nga periudha e Sër Aleks Fergusonit. Vetë Klopi në një deklaratë për shtyp pranoi se përsëritja e kohës magjike të Mançester Junajtid, kur ky ekip ishte ‘’mbreti i Anglisë’’ është mjaft e vështirë. Ndryshe mendon Uejn Runi, i cili për një intervistë për portalin anglez “ The Times’’ tha se nëse Liverpuli arrin ta mbajë Klopin, ata do të dominojnë për një dekadë të tërë.

“Skuadra e Liverpool është e re dhe të gjithë lojtarët kryesorë kanë kontrata që skadojnë vonë. Ata kanë një potencial të madh për të fituar më shumë trofe. Klop tha se nuk mund të bëhet si Aleks Ferguson, por unë mendoj se nëse qëndron, Liverpuli do të dominojë për dhjetë vitet e radhës”, u shpreh Uejn Runi./Sport Ekspres/

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.