Ish-futbollisti i “Demave”, Memushi: Skënderbeu ja lehtësoi kreun Partizanit

Pas fitores së djeshme të Partizanit me Skënderbeun, ish-futbollsti i skuadrës së kuqe në 25 sezone më parë, Eqerem Memushi, e vlerëson këtë tri pikësh për kryesimin. Në intervistën e tij për SportEkspres.com, ai thekson se faza e tretë do jetë vendimtare për synimet e çdo skuadre, ndërsa e parashikon të vështirë garën në 18 javët e tjera. Për Memushin, Partizani e ka shtruar pistën e titullit, ndërsa për mbijetsë parashikon rivalitet tek tre skuadrat e fundit.

Eqerem Memushi ka qenë futbollist i Flamurtarit e Partizanit, me të cilët ka fituar dy tituj kampion dhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa në periudhën 1987-1993 ka qenë edhe pjesë e Kombëtares. Nga viti 2006 ai ka qenë pjesë aktive e trajningut, ku ka drejtuar në disa sezone Flamurtarin, Tomorin, Apoloninë, Naftëtarin e Bylisin, dhe në dy sezonet e fundit edhe Kombëtaren U15.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Sfida e djeshme Skënderbeu-Partizani çeli fazën e tretë të Superiores, u ngjit ndeshja në nivelet e pretendimeve të skuadrave?
-Ka qenë një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, dhe si e para e fazës së tretë mendoj se kjo sfidë dha sinjale për një vazhdimësi të mirë. Partizani u tregua më konkret në lojë dhe e morri atë që kërkonte, ndërsa Skënderbeu u ndëshkua nga episode të veçanta.

Kur ju luanit në përbërje të Partizanit, me cilat skuadra kishte më shumë rivalitet, sikundër dje me Skënderbeun?
-Flasim për 25 vite më parë dhe atëhere Partizani kishte disa skuadra rivale, ku Dinamo, 17 Nëntori, Vllaznia e Flamurtari përbënin pesëshen më të fortë në Kampionat e Kupë. Më shumë rivalitet Partizani kishte me Dinamon, dhe ishte ndjenjë e veçantë në këto përballje.

Sot dhe nesër luhen katër ndeshjet e tjera të javës së 19-të të Superiores, si i shikoni këto përballje?
-Të gjitha janë takime të forta, edhe për faktin se të gjitha skuadrat vijnë nga fazat përgatitore me ndeshje miqësore e përforcime në merkato. Kukësi-Laçi është sfida që do flasë shumë për kreun dhe Europën, ndërsa një fitore e Kastriotit e mban atë në luftën për mbijetesë.

Nga minifaza përgatitore që kanë zhvilluar skuadrat, miqësoret dhe merkatua që kanë bërë, çfarë ndryshime mund të priten?
-Duke ju referuar të gjithë elementëve që afron muaji janar, nuk mendoj se do të kemi ndryshime nga dy fazat e para, sepse faza e tretë tregon më shumë stabilitet, ndërsa faza e katërt është më ndryshe. Por do të ketë më shumë bukuri e ndjekshëmri nga java në javë.

Po situatën te Flamurtari, si e përshkruani, kryesisht pas humbjes në Kupë me Tiranën?
-Humbja në Kupë nuk tregon se Flamurtari e ka humbur besimin dhe shpresat për kualifikim. Një fitore në Durrës ja forcon më shumë shpresat për zonën e Europës, në të kundërt, del jashtë rivalitetit për një vend në pesë skuadrat e para.

Në garën për kreun e fundin e renditjes së Superiores, mendoni se do të ketë ndryshime sikundër në 18 javët e luajtura?
-Deri tani, referuar edhe fitores dje në Korçë, Partizani po konsolidohet drejt titullit kampion, Kukësi do të jetë rival serioz për kreun, ndërsa Teuta duket si koçkë e fortë për të dy. Laçi do kërkojë të përfitojë nga gabimet e tre skuadrave të kreut për të siguruar Europën.

Cilat skuadra i mendoni më të rrezikuarat në zonën për mbijetesë?
-Mendoj se katër skuadrat e fundit të renditjes do të luftojnë mes tyre për mbijetesë. Do ta kenë shumë të vështirë garën mes tyre të gjitha këto skuadra, sepse janë shumë afër me pikë, por në këtë valle e përjashtoj Tiranën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *