Një futboll fizik, ku rezultati është primar dhe ndoshta cilësia e munguar e skuadrave bën që ndeshjet të humbasin në spektakël dhe të bazohen te loja e fortë fizike. Në ndeshjen Flamurtari-Tirana, loja u ndërpre plotë 42 herë, për goditje dënimi. Në takimin e pak orëve më parë, ndërmjet Skënderbeut dhe Kamzës u shkaktuan 38 faulle.
Ish-arbitri i FIFA-s, Lorenc jemini, që për vite me radhë ka qenë gjyqtari më i rëndësishëm I futbollit shqiptar, dha alarmin. Në rolin e opinionistit dhe për të analizuar episode e ndeshjeve në “Proçesin Sportiv” në “Top Channel”, Jemini dha alarmin se mesatarja e ndërprerjeve të lojës gjatë ndeshjeve në Kategorinë Superiore është 40: një shifër mjaft e lartë, e cila ndikon në lojën e luajtur.
“Idealja do të ishte që në lojë të akordoheshin maksimalisht 25 faulle. Në kampionatin anglez, që është shumë më i fortë, akordohen 15 faulle gjatë ndeshjeve. 40 faulle me llogari janë 20 minuta lojë, të cilat shpërdorohen. Po të llogarisësh këtu rivëniet fundore, rivëniet anësore, sa kohë mbetet për të luajtur?!”, tha Jemini.
“Një shtytje e lehtë jepet faull, një kërcim në ajër edhe loja ndalon. Kjo situatë duhet të ndryshojë dhe këtë e kanë në dorë arbitrat, që duhet të vazhdojnë lojën. Kur isha unë arbitër jepja maksimumi 20 faulle, madje duke rrezikuar edhe veten time, për të lënë që loja të vazhdonte”.