Ashpërsohet lufta mes tifozëve të Skënderbeut dhe policisë, pas gjobë prej 2 milion lekësh për 20 vetë. Ultrasit: O ne, o policia në stadium!
Leonard Trebicka
Në Korçë ka ditë që ka filluar një luftë e vërtetë mes tifozëve të Skënderbeut dhe policisë. Pas ndeshjes së 24 shkurtit ndaj Partizanit, tifogrupi “Ujqërit e dëborës” ndihet i ofenduar me atë çfarë ndodhi me tifozët. Uniformat blu janë paraqitur në familjet e disa tifozëve dhe u ka kërkuar atyre paraqitjen në komisariat, duke u treguar edhe gjobën financiare. Gjithçka, sipas policisë, ka të bëjë me çfarë ndodhi në takimin ndaj Partizanit në tribunën C. Për këtë arsye, pjesa e parë e ndeshjes së fundit me Laçin u luajt krejtësisht në heshtje. Ultrasit korçarë kishin bojkotuar në shenjë proteste për përplasjen me policinë dhe në pjesën e dytë u kthyen. Por ky ishte vetëm paralajmërimi. A do të kthehen tifozët korçarë në shkallët e stadiumit? Mbetet për t’u parë, pasi dje pjesëtarët e tifogrupit më të madh të Skënderbeut kanë qenë mjaft të irrituar me situatën e fundit.
GJOBAT – Asgjë nuk është mbyllur mes policisë dhe tifozëve korçarë, të cilët edhe dje kanë pasur frikë, sepse në çdo moment uniformat blu mund të riktheheshin në dyert e shtëpive të tyre. Disa prej ultrasve të Skënderbeut dje kanë zbuluar gjithçka ka ndodhur, duke dhënë detajet për “Sport Ekspres”: “Nuk ka si të mos jemi të shqetësuar. Ka ditë të tëra, që më 24 shkurt, që policia na bën terror, duke na trokitur në dyert e shtëpive dhe na shqetëson familjet sikur të kishim vrarë ndokënd. Ne e kemi sqaruar disa herë të gjithë se atë ditë kemi gëzuar për golin e Skënderbeut, duke u ngjitur edhe te kangjellat, këtë e pranojmë. Por pas atij momenti nuk ndodhi asgjë dhe nuk pati asnjë dëm. Por jemi thirrur në polici. Kemi qenë 20 pjesëtarë të tifogrupit tonë që kemi marrë gjoba, nga 100 mijë lekë secili. Në total është një shumë prej 2 milionë lekësh që duhet të paguhet. Është shumë absurde. Kemi biseduar me drejtuesit e klubit dhe na është premtuar prej tyre se do ta paguajnë këtë shumë, por deri sot (dje) nuk ka ndodhur. Nuk është problemi te 100 mijë lekë që do paguajmë, por ky veprim na shqetëson, sepse çfarë nuk po ndodh me klubin, ku gjobat vijnë njëra pas tjetrës. Po ashtu, edhe haberet e fundit nga UEFA, dënimet për lojtarët dhe tani shtohet edhe ky dënim yni. Çfarë po ndodh me Skënderbeun? Kërkojmë që policia të mos jetë me dy standarde, pasi ka tifozëri të tjera, që nuk i prek askush. Nëse kanë ndërmend të na largojnë nga stadiumi, le të na e thonë dhe nuk shkojmë më. Por jemi me zemër me këtë ekip dhe vetëm e kemi mbështetur. Presim një reagim nga klubi dhe më pas do të marrim edhe ne një vendim, që do ta bëjmë të ditur edhe për mediet. Kjo situatë është e pakuptimtë”, – thanë dje disa nga tifozët korçarë, të cilët janë gjobitur nga policia.
REAGIMI I MËPARSHËM – Pak ditë më parë pati edhe një reagim të shoqatës “Ujqërit e dëborës”. Në një deklaratë për mediet ata shkruanin: “Një turp që po ndodh në Korçë, një padrejtësi për tifogrupin “Ujqërit e dëborës”. Ata çuna, të cilët nuk kanë nguruar për ta mbështetur ekipin në çdo moment, kanë bërë me mijëra kilometra për Skënderbeun. Por shteti ynë është vërtet bastard, duke u dërguar policinë dhe spiunë nëpër shtëpi secilit prej pjesëtarëve të tifogrupit. U kërkohet të paraqiten në komisariat për arsye të turpshme. U thuhet pse festuan golin në hekurat e stadiumit, kur ekipi i zemrës shënoi. Futbolli pa tifozë nuk ngjall emocione. Futbolli luhet për tifozët dhe jo për policët. Jemi të indinjuar gjithashtu dhe, nëse kjo situatë vazhdon, do të vazhdojmë të bojkotojmë ndeshjet. Ndoshta jemi ne e keqja e futbollit, ndoshta punën tonë e bëjnë policët më mirë. Një gjë është e sigurt: Ose ne, ose policët, të dy bashkë jo”.