Janë mbyllur tre ndeshjet e së dielës të javës së 14 të IPKO Superligës së Kosovës. Trepikësh i rëndësishëm në transfertë për Llapin, që fiton në Ferizaj, fitore jetike për Lirinë që triumfon në Gjilan përballë Dritës dhe vazhdon luftën për mbijetesë. Sabit Osmani e nis me barazim aventurën në stolin e Trepça 89’, që barazoi me rezultatin 1-1 përballë Gjilanit.
Llapi reagoi pas humbjes në shtëpi përballë Ballkanit dhe arriti një fitore të rëndësishme në transfertë përballë Ferizajt. Një gol i Shpend Kelmendit tetë minuta përpara fundit të ndeshjes i dhuroi fitoren ekipit nga Podujeva, që ngjitet në kuotën e 26 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje.
Humbje e papritur në shtëpi për Dritën. Kampionët në fuqi të Kosovës u mposhtën nga Liria e Prizrenit me rezultatin 0-1. Kapiteni Fatih Karahoda shënoi katër minuta nga fundi, duke i dhuruar tre pikë të arta bardhezinjve, të cilët parakalojnë Ferizajn dhe ngjiten në vendin e dhjetë me 13 pikë. Humbja e parë pas pesë fitoreve rresht për ekipin e Shpëtim Duros që mbetet në vendin e katërt me 22 pikë të grumbulluara.
Barazim në sfidën mes Trepçës dhe Gjilanit. Ndeshja e zhvilluar në Mitrovicë përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa trajneri Sabit Osmani e nisi me një pikë aventurën në stolin e ekipit nga Mitrovica. Vilfor Hysa kaloi miqtë në avantazh në minutën e 25, ndërsa Arb Manaj barazoi sfidën në minutën e 75, duke shmangur humbjen e ekipit të tij. Gjilani renditet në vendin e gjashtë me 21 pikë, ndërsa Trepça vazhdon të jetë në ujëra të turbullta, duke u ngjitur në kuotën e 16 pikëve dhe mban vendin e nëntë në renditje.
Drita – Liria 0-1
(Karahoda 86′)
Ferizaj – Llapi 0-1
(Kelmendi 82’)
Trepça 89’ – Gjilani 1-1
(Manaj 76’ / Hysa 25’)