Feronikeli dhe Llapi, dy kryesuesit e IPKO Superligës së Kosovës, kanë arritur fitoret e radhës dhe vazhdojnë të kryesojnë renditjen. Djemtë e Ramadanit mposhtën Lirinë e Prizrenit me rezultatin 4-2. Astrit Fazliu me anë të një penalltie të fituar nga Magani dhe Lapidar Lladrovci shënuan në pjesën e parë, duke i dhuruar avantazhin e dyfishtë kryesuesve të IPKO Superligës, ndërsa Qëndrim Gashi shkurtoi diferencën në fundin e pjesës së parë me anë të një penalltie.
Pjesa e dytë dhuroi dhe tre gola të tjerë. Mevlan Zeka dhe Mendurim Hoti shënuan dy gola të tjerë për Feronikelin, ndërsa Gentian Binishi shënoi një gol shumë të bukur 11-të minuta nga fundi, duke ngushtuar diferencën e rezultatit.
Feronikeli vazhdon formën e mirë, duke arritur fitoren e katërt radhazi në kampionat dhe mban vendin e parë në renditje me 17 pikë, ndërsa bardhezinjtë e Lirisë mbeten në vendin e nëntë në kuotën e gjashtë pikëve.
Tre pikë ka arritur të sigurojë dhe ekipi i Llapit, që ka mposhtur KEK-un me rezultatin 2-0. Festim Alidema kaloi vendasit në avantazh në minutën e 14-të, ndërsa kapiteni Hamdi Namani shënoi golin e dytë në minutën e 70-të, duke vulosur fitoren dhe dhuruar ekipit të Sokolit tre pikët e radhës. Llapi mban vendin e dytë në renditje dhe ndodhet vetëm një pikë poshtë Feronikelit.
IPKO Superliga – Java 7
Feronikeli-Liria 4-2
Shënues: (Fazliu 8’ (pen.), Lladrovci 30’, Zeka 57’, Hoti 67’ / Gashi 43’ (pen), Binishi 79′)
Llapi-KEK 2-0
Shënues: (Alidemaj 14’, Namani 69’)