Havier Zaneti është shfaqur i lumtur në “Sky Sport” pas kualifikimit në finalen e Ligës së Kampionëve. Zëvendës presidenti i Interit përgëzon ekipin për arritjen dhe shpreh dëshirën e tij për kundërshtarin me të cilin do të ndeshen në finalen e Stambollit. Argjentinasi shpreson të shmangë me çdo kusht Realin e Madridit, pasi sipas tij ky kompeticion është i krijuar për ta.
“Ky grup e meritoi mundësinë për të luajtur në një tjetër finale pas 13 vitesh. Ne presim me padurim të nesërmen, por ajo që kemi bërë tashmë është e rëndësishme. Do të doja të shmangia Real Madridin, kjo garë duket e krijuar për ta. Ka qenë një rrugëtim i gjatë, përballja me një derbi në gjysmëfinale nuk është e lehtë dhe unë e kam jetuar atë si lojtar. Ishte e vështirë. Ky është futbolli dhe komplimentet më të mëdha shkojnë për ekipin dhe trajnerin. Ai foli pak dhe tregoi me vepra se e meritonte finalen”, ka deklaruar Havier Zaneti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/