Është mbyllur edhe java e 32-të e Kategorisë Superiore. Mbrëmjen e sotme u luajt takimi i fundit mes Teutës dhe Skënderbeut. Loja dhe rezultati foli për bregdetarët, që tashmë e shohin veten në vendin e 3-të në tabelën e renditjes. Pas përfundimit të takimit kanë thënë fjalën e tyre edhe vetë protagonistët e ndeshjes, të cilët kanë folur për mikrofonin e Supersport.
Edi Martini (Teuta): “Ishte një ndeshje shumë e suksesshme. Skënderbeu ka një ekip shumë të mirë dhe e kishim me frikë të them të drejtën. Ai vrapimi në mesin e fushës ishte vetëm për Vilën. Dje ka pasur funeralin e të atit dhe në orën 12 të natës më merr në telefon dhe më thotë “profesor unë do luaj nesër, nuk ju lë në baltë“. Më kanë emocionuar ato fjalë dhe ai djalë ka respektin tim maksimal.
Protestat e lojtarëve të Teutës? Ndeshje të tilla duan karakter dhe burrëri. Ëshë pjesë e karakterit të tyre dhe shpirtit të garës që ata kanë.
Që në minutë të 20-të Kallaku ka pasur probleme deri në momentin që e kam nxjerrë. Më ka kërkuar disa herë të dalë po e kam mbajtur të forcuar në fushë. Ka luajtur i sforcuar për 20-25 minutat e fundit“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/