Vllaznia-Skënderbeu, kjo do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon. Bardhekuqtë po tregojnë gjithnjë e më shumë se po kapin ritmin e duhur nën drejtimin e Memellit dhe këtë e dëshmon edhe fitorja e sotme kundër Teutës me shifrat 0-2. Ndërkohë në krahun tjetër Vllaznia ka mposhtur për herë të parë Laçin për këtë sezon, një fitore kjo që në fund festohet me biletën për në finale. Në përfundim të të dy takimeve, vetë protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në Supersport.
Memelli (Skënderbeu): “E prisje një fitore të tillë? Padiskutim që e prisja. Në javët e fundit kemi bërë performanca të mira. Lojtarët kanë krijuar bindjen se kjo mënyrë loje është më e mira për të fituar ndeshjet. Pas daljes së Berishës gjërat u vështirësuan goxha. Një gol i Teutës mund ti fuste në lojë dhe mund të krijonte panik te skuadra. Megjithatë jam krenar për çunat. I kemi dhënë një bonus të madh si skuadrës, si tifozëve, si qytetit. Duhet të qendrojmë me këmbë në tokë. Është një finale që do të luhet 50 me 50. Ne duhet ta mbajmë mendjen te kampionati tani. Të bëjmë 9 javë si kjo e fundit. Jam i lumtur për lojtarët sot, sepse kanë bërë maksimumin për veten e tyre, për familjet e tyre. Të fokusohemi te kampionati, sepse kjo ishte vetëm një fitore që na dërgon në finale. Pastaj kurorëzimi nuk dihet, megjithëse kam besim se mund ta bëjmë edhe atë. Fjalët që i thashë Berishës për kartonin e kuq? Asgjë. Janë gjëra që ndodhin në futboll. Ai e bëri detyrën e tij dhe e bëri më së miri”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/