E mbani mend Rafael Sozën? Me siguri po. Në Shqipëri spikati me Dinamon, më pas kaloi te Skënderbeu, Flamurtari e Laçi. Një lojtar mjaft cilësor, që tanimë luan në vendlindje. Por çështja është tjetër. Në kutinë e mesazheve të “Sport Ekspres”, një ditë më parë erdhi një mesazh.
“Hola Sport Ekspres! Dua të tregoj disa gjëra nga koha kur kam qenë në Shqipëri. Mundem ta tregoj në formë historie për karrierën time, se nuk dua të kuptohet se i tregoj vet unë disa histori jo korrekte për disa klube shqiptare. Nëse doni mund të flasim, ose flas me gazetën Panorama”, ishte mesazhi i “Sozës” ( Profili fals: https://www.facebook.com/profile.php?id=100009618400383).
Pranuam, por në fund nga ana jonë iu kërkua numri i telefonit për të marrë një konfirmin që i qëndron të gjitha atyre që ka thënë. E gjithë intervista ishte e dyshimtë, për shkak të përgjigjeve të dhëna. Vetëm fjalë të shkruara gabim, qëllimisht me sa u kuptua më pas, kur komunikuam me vetë Sozën.
“Ola miku im. Ajo intervista shumë mashtrim. Nuk është profili im ai, vetëm ky që po flasim. Nuk kam asnjë profil tjetër”, na thotë Soza. Shumëkush do të mendojë dhe do të thotë, kur është e gjitha mashtrim, pse po e postoni? Thjesht që kolegët tanë të mos bien pre e një mashtruesi, që hiqet si dikush tjetër. Së çfarë synimesh ka, një Zot e di!
Rafaelo, jeni larguar prej disa vitesh nga Shqipëria. Informoheni sërish mbi atë që ndodh në kampionatin tonë?
-Po, ndjek ndeshje nga kampionati shqiptar kur kam mundësi, kur nuk jam në stërvitje apo kur s’kam ndeshje. Edhe kur nuk kam mundësi t’i shoh direkt, shoh momentet më të mira në videot që publikohen te faqja e Digitalb.
Si të duket, ka shumë ndryshim nga koha që ju luanit këtu?
-Nuk shoh shumë ndryshime, vijon të luhet futboll agresiv, me shumë faulle dhe vonesa. Por diçka ka përmirësim, sepse ndeshjen jepen “live” të gjitha. Kjo është një mundësi shumë e mirë për lojtarët që të luajnë në kampionat më të fortë, ndryshe nga koha kur unë luaja tek Skënderbeu, apo Dinamo. Jo të gjitha ndeshjet jepeshin live. Unë kisha një mundësi shumë të mirë për të shkuar në kampionatin zviceran, por skautët e klubit nuk vinin dot për të më parë “live” çdo ndeshje në kohën kur isha te Dinamo e Skënderbeu. Ata donin të më shinin në vazhdimësi, pasi nuk mund të ishin prezent çdo ndeshje në stadium. Kjo ishte një arsye që nuk munda të bëja një hap shumë të madh në karrierën time. Por tani lojtarët e kanë fatin dhe kjo është gjëja më e mirë në vitet e fundit.
Cilën nga eksperiencat në vendin tonë do të veçonit dhe pse?
-Te Dinamo e Skënderbeu bëra sezonet më të mira. Bëra shumë gola, sidomos te Skënderbeu. Një numër golash shumë i madh për një mesfushor krahu për të mos folur edhe për penalltitë e fituara dhe asistet e shumta. Titujt kampion i bëjnë të veçanta këto sezone. Te dinamo isha 20 vjeç dhe bëra mjaft mirë. Me pas u rrita më shumë te Skënderbeu, derisa shkova dhe te Sherifi i Tiraspolit, kampion i Moldavisë. Te Laçi mora kupën, ndërsa te flamurtari nuk shkuan shumë gjëra mirë.
Çfarë ndodhi në Vlorë?
-Atje kisha shumë presion, më kujtonin pagën e lartë që merrja kur nuk bëra mirë. Edhe pse bëja lojëra të mira, por nuk po shënoja dot aq sa sezonet e kaluara. Madje te Flamurtari rrezikova edhe karrierën, sepse luajta për një kohë të gjatë i dëmtuar. Kjo ndodhi vetëm sepse doja të justifikoja veten dhe ai vit ishte i fundit që Flamurtari shkoi në Europë. Kështu sezoni nuk ishte i keq. Dëmtimi në stërvitje me Micin, ku përfundova spital apo faullet e shumta që merrja në ndeshje, duke qenë ende i dëmtuar, më bënë mos të dilja dot në formën më të mirë.
Ka momente të tjera që nuk do donit të kishin ndodhur gjatë eksperiencës tuaj në Shqipëri?
-Disa nga momentet negative nga Shqipëria, përveç rastit që përmenda te Flamurtari, janë te Dinamo ku ndeshjet e fundit dolën 3+. Apo edhe kur drejtuesit e një klubi me ofruan para që unë të mos luaja kundër ekipit të tyre. Unë nuk pranova dhe nuk bëra si i dëmtuar. Luajta në atë ndeshje, pasi unë nuk mund të luaj me pasionin e tifozerisë tonë dhe të tradhtoj për para.
Kur ju kërkuan të mos luanit, i thatë ndokujt në klub te Dinamo?
-Nuk e kam bërë publike e kam mbajt për vete i kam treguar vetëm miqve të mi me të ngushtë në klub.
Pse nuk e denoncuat atëherë, apo kishit frikë?
-Nuk do rrija shumë në Shqipëri. Nëse do t’i denoncoja do më kërcënonin dhe e lashë me aq, duke i treguar vetëm disa miqve në klub. E rëndësishme është se unë nuk i pranova, por zbrita në fushë e dhashë maksimumi tim. Uroj që këto gjëra mos të ketë më në Shqipëri, se e kam parë se edhe Emiljano Vilës i ishin ofruar para apo nuk e di se çfarë që të luante dobët. Nuk e di sa është e vërtetë, por e kam parë në gazeta. Uroj që ky fenomen të zhduket nga futbolli juaj.
Kur erdhët për herë të parë në Shqipëri, çfarë ju bëri më shumë përshtypje?
-(Qesh) E kam thënë edhe para disa viteve për një gazetë. Në kohën kur isha te Dinamo, vura re ndryshe nga se ndoshta në Argjentinë, klubet e natës mbylleshin më shpejt. Dhe sa herë niseshim me çunat e tjerë argjentinas të Dinamos, i gjenim klubet mbyllur. Së bashku me Martinenën e çunat e tjerë i kujtojmë ato momente kur mbeteshim jashtë klubit, pasi mbylleshin në 10 të darkës. Ka edhe momente të tjera të bukura, por këtë do veçoja.
Keni punuar me trajnerë të ndryshëm në Shqipëri. Si i keni pasur marrëdhëniet me ta? Cili prej tyre ka qenë më i miri në këndvështrimin tuaj?
-Nuk dua të bëj diferenca mes trajnerëve me të cilët kam punuar. Ata kanë dalë kampionë me sa di unë: Muça, Duro dhe Gjoka. Për Cungun nuk e di nëse ka marrë kampionat, por ka mundur të fitojë Kupën me Laçin. Janë të gjithë të mirë, por Duro dhe Muça stilin tim të lojës e njihnin më mirë e më vendosnin në pozicion ku unë mund të isha më i rrezikshëm para porte.
Po me presidentët si i keni pasur raportet? Çfarë mund të na thoni ndonjë gjë të veçantë?
-Të mira, korrekte, sidomos me të Dinamos dhe Skënderbeut. Madje me Takajn që ka qenë afër Skënderbeut dhe në vitin kur unë kam qenë, vazhdojmë të përshëndetem. Sidomos pas sukseseve të mëdha të Skënderbeut në vitet e fundit në Europë. E kam uruar shpesh.
Luftëtari ka qenë opsion për ju vjet. A keni pasur ndonjë propozim tjetër për t’u rikthyer në Shqipëri?
-Këtë sezon isha pranë dy klubeve shqiptare, por me një nuk ramë dakord për arsye financiare. Ndërsa me tjetrin për arsye se trajneri më donte dhe ia kishte kërkuar klubit, por drejtor i klubit nuk donte. Kjo sepse do merrte një lojtar tjetër që ai ka lidhje, pasi janë të një kompanie menaxhimi. E mora vesh me vonë nga disa miq të mi. Më informuan, por pak rëndësi ka tani. Ata po e shohin se çfarë ka bërë ai që u mor me miqësi në klub. Për fat të keq drejtorët kanë më shumë fuqi se trajnerët në Shqipëri. Unë vet jam i kënaqur me karriera ime në Shqipëri kam marrë shumë tituj. Nëse do kthehem do isha i kënaqur, por edhe nëse jo jam i lumtur që në Shqipëri vijojnë të më kujtojnë për mirë si lojtar cilësor.